Vozinha zbulon çfarë i tha Messi pas eliminimit: Fjalë që nuk do t’i harroj kurrë

Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, ka zbuluar bisedën emocionale që pati me Lionel Messi pas eliminimit të kombëtares së tij nga Kupa e Botës 2026.
Kepi i Gjelbër zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer ndaj kampionit në fuqi, Argjentinës, por u mposht me rezultat 3-2 pas vazhdimeve në fazën e 1/16 së finales.
Një nga protagonistët kryesorë të skuadrës afrikane ishte pikërisht Vozinha, i cili realizoi edhe një tjetër paraqitje të nivelit të lartë.
Pas përfundimit të ndeshjes, portieri veteran zbuloi se Messi e përgëzoi për paraqitjen e tij dhe për rrugëtimin historik të Kepit të Gjelbër në këtë Botëror.
“Shkova te Messi pas ndeshjes. Ai më përqafoi dhe më tha: ‘Je i mrekullueshëm. Populli yt duhet të jetë krenar për ju’. Ishte diçka e pabesueshme për mua. Të dëgjosh fjalë të tilla nga dikush si Leo Messi do të thotë shumë”, u shpreh Vozinha.
39-vjeçari tregoi gjithashtu se e falënderoi kapitenin e Argjentinës dhe i kërkoi të shkëmbenin fanellat, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
“E falënderova dhe i thashë: ‘Faleminderit, Leo. Ti je më i miri’. Pastaj e pyeta nëse mund t'i shkëmbenim fanellat”.
“Leo më tha se do të ma jepte fanellën në tunel, pasi të përfundonte intervistat”, shtoi ai.
Vozinha ishte një nga futbollistët më të spikatur të Kepit të Gjelbër gjatë gjithë turneut.
Portieri 39-vjeçar regjistroi 18 pritje në katër ndeshje, duke luajtur rol kyç në arritjen historike të kombëtares së tij, e cila për herë të parë në histori arriti të kualifikohej në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës./Periskopi/











