Sa të sigurta janë objektet banesore në Kosovë?

Mijëra objekte të reja banesore janë ndërtuar viteve të fundit në Kosovë, të përcjella me pikëpyetjet se a i plotësojnë kushtet e sigurisë për banorët.
Sipas dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Prishtinës, Florim Grajçevci, nuk ka kontroll të mjaftueshëm institucional rreth standardeve të ndërtimit.
Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, ai thotë se duhet të bëhen ndryshime ligjore që ndërtimet në Kosovë të certifikohen nga nivele më të larta institucionale.
“Komunat, në përgjithësi, në Kosovë, në këtë aspekt kanë numër të vogël të stafit, dhe në asnjë mënyrë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të bërë kontrolle dhe inspektime nëpër objektet që ndërtohen. Arsyeja është e thjeshtë: ka shumë ndërtime dhe ka pak njerëz”, shprehet Grajçevci.
Për këtë arsye, ai propozon një model alternativ, ku institucionet akademike dhe profesionistët teknikë do të përfshiheshin në vlerësimin e projekteve.
Sa i përket kushteve të sigurisë në objektet e banimit kolektiv, Grajçevci thotë se ato shpesh nuk plotësohen nga ndërtuesit.
“Alarmet nuk janë të mjaftueshme për efektin e sigurimit kundër zjarrit”, thotë ai, duke sqaruar se alarmi vetëm paralajmëron për zjarr, por nuk e shuan atë.
Sipas tij, në ndërtesa publike dhe kolektive, sistemet automatike të shuarjes së zjarrit, shkallët dhe daljet emergjente duhet të jenë të obligueshme, jo opsionale.
Për mangësitë dhe cilësinë e dobët të ndërtesave, Grajçevci thotë se përgjegjësia është zinxhirore.
“Prej projektuesit te ndërtuesi, te ai që e ka dhënë certifikatën për shfrytëzim”, shprehet ai në 5 pyetje.
Në rastet kur qytetarët që duan të blejnë një banesë dhe nuk dinë për cilësinë e objektit, ai sugjeron që ata të konsultojnë paraprakisht një inxhinier ndërtimi, për të parë nëse banesa ku planifikojnë të jetojnë përmbush standardet e sigurisë./Periskopi











