Vdekja tragjike e të birit, Emilie Kiser i bën dedikim prekës në ditëlindjen e pestë

Influencuesja Emilie Kiser ka kujtuar me emocione djalin e saj Trigg, i cili humbi jetën si pasojë e mbytjes në maj të vitit të kaluar.
Ajo bëri të ditur se sot ai do të kishte festuar ditëlindjen e pestë.
Në Instagram, Emilie publikoi një fotografi të vjetër ku e mban Trigg-un për dore.

“Më mungon gjatë gjithë ditës, çdo ditë. Gëzuar ditëlindjen e pestë djalit që më bëri nënë. Do të doja më shumë se gjithçka të dëgjoja sërish të qeshurën tënde dhe të kaloja edhe një ditë me ty. Të dua përgjithmonë”, shkroi ajo.
Trigg u shtrua në spital pasi më 12 maj 2025 ra në pishinën e oborrit të shtëpisë, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Në momentin e aksidentit, Emilie nuk ndodhej në shtëpi, ndërsa bashkëshorti i saj, Brady Kiser, po kujdesej për djalin e tyre më të vogël, Teddy, i cili atëherë ishte vetëm disa javësh.
Trigg ndërroi jetë në spital gjashtë ditë më vonë.
Përveç Trigg-ut dhe Teddy-t, i cili tani është një vjeç, Emilie dhe Brady kanë bërë të ditur së fundmi se janë në pritje të fëmijës së tyre të tretë. /Periskopi/











