Kjo është tradhtia më e madhe politike e Edi Ramës

Shkruan: Desada Metaj
Në të njëjtën ditë kur protesta mbërriti në ditën e saj të 55-të, Edi Rama mblodhi socialistët dhe foli për nevojën e më shumë empatie dhe përgjegjësie ndaj qytetarëve. Dy pamje që, të vendosura përballë njëra-tjetrës, tregojnë më shumë sesa çdo sondazh për gjendjen e sotme politike: brenda, një pushtet që pas 13 vitesh zbulon se duhet të ketë empati; jashtë, një shtresë qytetare që ka kuptuar se prej vitesh nuk përfaqësohet më nga askush. Protesta ka vijuar për javë të tëra dhe është përpjekur të ruajë një identitet qytetar përtej strukturave tradicionale partiake. Por rëndësia e saj nuk matet vetëm me numrin e njerëzve që mblidhen çdo mbrëmje. Ajo që ndodhi në ditët e para ishte ndoshta më e rëndësishme dhe domethënëse: njerëz që deri atëherë e mendonin veten të izoluar, të pafuqishëm dhe politikisht të parëndësishëm, panë njëri-tjetrin në shesh. Kuptuan se nuk ishin pak dhe se pakënaqësia e tyre nuk ishte një dështim individual, por një realitet shoqëror. Për 13 vjet Edi Rama është tallur pikërisht me shtresën që duhej të ishte aleati i tij më natyral: profesionistët, qytetarët e arsimuar, njerëzit e punës dhe të dijes, ajo që quhet zakonisht shtresa e mesme. I mbyti me taksa dhe i ekspozoi ndaj një ekonomie ku informaliteti nuk u luftua njësoj për të gjithë. Ndërsa profesionisti, biznesi i vogël dhe qytetari i zakonshëm duhej të respektonin çdo detyrim, oligarkëve iu hapën dyert e koncesioneve, lejeve, pronave dhe tenderave. Administra u stërfry me militantë dhe qeveria nuk shpërbleu më dijen, punën dhe meritën, por afërsinë me pushtetin. Edhe më fyese ishte mënyra se si Rama ndërtoi përfaqësimin politik. Në Parlament dhe në qeveri u promovuan shpesh njerëz mediokër, në disa raste pa formimin dhe peshën publike që kërkon drejtimi i një shteti. Imagjino që në Shqipërinë e mandatit të dytë dhe te tretë vdiq çdo debat politik, çdo formë e përzgjedhjes në drejtim të njerëzve të zotë dhe profesionistë. Në vend të tyre figura groteske dhe personazhe barsaletash morën në dorë fatet e vendit. Kjo është tradhtia më e madhe politike e Edi Ramës ndaj kësaj shtrese. Ai erdhi si “çuni i Tiranës”, artisti dhe intelektuali që dukej se kishte kodet kulturore për të bashkëqeverisur me qytetarinë. Dukej se e kuptonte Shqipërinë urbane, profesionistët dhe njerëzit që kërkonin modernizim. Por përfundoi duke qeverisur me patronazhistë të dorës së dytë, me një administratë të nënshtruar dhe me një sistem ku besnikëria politike vlente më shumë se aftësia. Rama nuk i humbi këta njerëz thjesht si votues. Ai i la pa përfaqësim. Për fat të keq boshllëkun nuk e mbushi opozita. Qytetarinë e ditëve të para të protestës nuk e përfaqëson as Sali Berisha dhe shpura e tij servile. Nuk e përfaqëson as Erion Braçe, i cili prej vitesh ankohet se Edi Rama nuk qeveris siç mendon ai, por vazhdon të qëndrojë brenda së njëjtës ndërtesë politike. Nuk e përfaqëson as Elisa Spiropali, revolta e së cilës shpërthen kur nuk merr postin që pret. Pakënaqësia e tyre nuk është kundërshtim ndaj sistemit, por pakënaqësi për vendin që u është caktuar brenda tij. Por as alternativat e reja nuk kanë arritur ta mbushin këtë boshllëk përfaqësimi. As Arlind Qori dhe as Agron Shehaj, me mënyrën shpesh agresive, përjashtuese apo delirante të të bërit politikë, nuk arrijnë ta përfaqësojnë plotësisht këtë shtresë. Sepse qytetaria që ka doli në shesh nuk kërkoi thjesht një tjetër udhëheqës që flet më fort. Ajo kërkoi një mënyrë tjetër të të menduarit dhe të ushtruarit të politikës. Në ditët e para në shesh këta njerëz identifikuan njëri-tjetrin. Kuptuan se, të marrë së bashku, përbëjnë një forcë më të madhe se Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe partitë e vogla që përpiqen t’i trajtojnë si rezervuar votash. Natyrisht, janë të vështirë për t’u organizuar dhe për t’u menaxhuar politikisht. Janë njerëz të arsimuar, të artikuluar, kritikë dhe mosbesues. Nuk binden me një parullë, nuk rreshtohen pas një kryetari vetëm sepse ai u premton ndryshim dhe nuk pranojnë lehtë disiplinën e verbër të militantit. Pikërisht për këtë arsye politika tradicionale i quan shpesh të pavendosur, të ftohtë ose “gri”. Por këta njerëz nuk janë gri. Ata kanë ngjyrë, dallime dhe shumë nuanca. Në fakt, janë drita që ra mbi grinë e errët ku Edi Rama dhe Sali Berisha e kanë futur së bashku vendin. Përballë tyre, Rama dhe Berisha shfaqen si dy vjetërsira politike që mund të vazhdojnë edhe për pak kohë të drejtojnë një shtëpi së cilës po i tunden themelet, por që nuk janë më të aftë të ndërtojnë një shtëpi të re për shqiptarët e rinj. Njëri ka pushtetin, tjetri ka vulën e opozitës. Njëri kontrollon administratën, tjetri kontrollon partinë. Por të dy mbijetojnë mbi të njëjtin mekanizëm: frikën se përtej tyre nuk ekziston asgjë. Protesta e ka dëmtuar pikërisht këtë mit. Ndoshta kjo shtresë është ende e papërfaqësuar. Ndoshta nuk ka ende një emër, një strukturë apo një figurë që ta shprehë politikisht. Por ajo ka arritur diçka që nuk duhet nënvlerësuar: ka fituar dritën e mendimit për të kuptuar se nuk duhet të mbështesë më asnjërin prej dy poleve vetëm nga frika e tjetrit. Edhe nëse sot nuk arrin t’i rrëzojë, të paktën nuk do të përdoret më prej tyre. Nuk do të votojë Ramën për të ndalur Berishën dhe as Berishën për të larguar Ramën. Nuk do ta pranojë më shantazhin e zgjedhjes mes dy të këqijave si të vetmen formë të demokracisë. Dhe kjo mund të jetë arritja më e madhe e protestës: jo se ka prodhuar tashmë udhëheqësin e ri, por se ka krijuar një publik të ri politik. Një publik që nuk është më dekor, turmë apo elektorat rezervë. Një publik që do të jetë pasqyra ku klasa e sotme politike do ta shohë veten pa filtrat e propagandës. Dhe në atë pasqyrë, pushteti dhe opozita e vjetër nuk duken më madhështore. Duken si një rosak i shëmtuar, i plakur dhe i bindur se të gjithë të tjerët janë ende të detyruar ta admirojnë.











