Fashizmi serb në shekullin XXI - Vazhdueshmëria e një mendësie politike

Fashizmi serb në shekullin XXI - Vazhdueshmëria e një mendësie politike

Shkruan: Ethem Çeku


Deklarata e fundit e ministres serbe Snežana Paunović, e cila deklaroi se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do të kishte kryer spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, nuk mund të konsiderohet një lapsus politik apo një reagim i çastit. Ajo është shprehje e një kulture politike që nuk është shkëputur ende nga e kaluara e saj. Në thelb, kjo deklaratë pasqyron vazhdimësinë e një ideologjie që e ka parë dhunën, dëbimin dhe spastrimin etnik si mjete të ligjshme për realizimin e objektivave shtetërore.


Për historianin, kjo retorikë nuk përbën befasi. Ajo është jehonë e një tradite politike që ka mbijetuar për më shumë se një shekull. Në periudha të ndryshme historike, nacionalizmi serb e ka konceptuar homogjenizimin etnik jo si pasojë të luftës, por si parakusht për ndërtimin e shtetit kombëtar. Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet një politike të zakonshme shtetërore dhe një ideologjie që e shndërron spastrimin etnik në instrument të projektit kombëtar.


Fillimet e kësaj politike shfaqen qartë gjatë Krizës Lindore (1877–1878), kur, pas pushtimit të Sanxhakut të Nishit, Toplicës, Prokuplës, Vranjës dhe Kurshumlisë, dhjetëra mijëra shqiptarë myslimanë dhe turq u dëbuan nga trojet e tyre. Raportet konsullore britanike, austro-hungareze dhe osmane dokumentojnë djegien e vendbanimeve, konfiskimin e pronave dhe dëbimin sistematik të popullsisë shqiptare, duke dëshmuar se dhuna nuk ishte episodike, por pjesë e një projekti të vetëdijshëm politik.


E njëjta filozofi u përsërit pas Luftërave Ballkanike të viteve 1912–1913. Në territoret e pushtuara nga Mbretëria e Serbisë u kryen masakra, dëbime dhe një kolonizim i organizuar nga shteti. Dokumentet diplomatike evropiane, raporti i Carnegie Commission (1914) dhe dokumentet osmane dëshmojnë se dhuna ndaj shqiptarëve nuk ishte vetëm pasojë e luftës, por pjesë e një politike të organizuar për ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare.


Në periudhën 1918–1941, Mbretëria e Jugosllavisë e institucionalizoi këtë politikë përmes reformës agrare, kolonizimit të Kosovës dhe përpjekjeve për shpërnguljen masive të shqiptarëve drejt Turqisë. Projektet shtetërore dhe negociatat jugosllavo-turke synonin largimin e qindra mijëra shqiptarëve, ndërsa Konventa e vitit 1938 ishte përpjekja më konkrete për realizimin e këtij objektivi, edhe pse nuk hyri kurrë në fuqi.


Pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist jugosllav nuk e ndërpreu këtë logjikë politike. Sidomos gjatë periudhës së Aleksandar Rankoviqit (1945–1966), shqiptarët u përballën me represion sistematik, arrestime, konfiskime dhe presione të vazhdueshme që nxitën emigrimin drejt Turqisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore. Liberalizimi i pjesshëm pas vitit 1966 ishte rezultat i krizave të brendshme të federatës jugosllave dhe jo i një rishikimi moral të politikës ndaj shqiptarëve.


Në fund të shekullit XX, regjimi i Sllobodan Millosheviqit e riktheu spastrimin etnik si instrument të politikës shtetërore. Gjatë luftës së Kosovës (1998–1999), mbi 800.000 shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre dhe mijëra civilë u vranë. Kjo nuk ishte vetëm një strategji ushtarake, por përpjekja përfundimtare për ta zgjidhur me dhunë atë që politika serbe, për dekada me radhë, e kishte quajtur “çështja shqiptare”.


Këto zhvillime nuk mund të kuptohen pa analizuar edhe dimensionin ideologjik të nacionalizmit serb. Në këtë kontekst, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve ka përfaqësuar, për dekada me radhë, një nga qendrat më të rëndësishme të formulimit të diskursit nacionalist mbi çështjen shqiptare. Figura si Jovan Cvijić, Ivo Andrić dhe Vaso Čubrilović, së bashku me qarqe të caktuara të Akademisë Serbe, projektuan dhe promovuan idenë e “zgjidhjes së çështjes shqiptare” përmes shpërnguljes së shqiptarëve, kolonizimit të trojeve të tyre dhe ndryshimit të strukturës etnike. Në këtë kuptim, akademia nuk mbeti vetëm një institucion shkencor, por u shndërrua në një laborator ideologjik, ku u artikuluan koncepte që më vonë u materializuan në politika shtetërore.


Prandaj, deklarata e ministres serbe nuk duhet parë si një incident i izoluar, por si dëshmi se hija e së kaluarës vazhdon të rëndojë mbi mendimin politik serb. Shoqëritë demokratike e ndërtojnë të ardhmen duke pranuar krimet e së kaluarës; ideologjitë nacionaliste përpiqen ta ndërtojnë të ardhmen duke i justifikuar ato. Përderisa spastrimi etnik vazhdon të relativizohet ose të glorifikohet nga përfaqësues të shtetit, problemi nuk është vetëm një deklaratë politike, por mbijetesa e një filozofie që ende nuk është çliruar nga bindja se dhuna mund të shërbejë si instrument i historisë. Pikërisht kjo e bën deklaratën e ministres serbe jo një devijim individual, por një pasqyrim shqetësues të vazhdimësisë së një mendësie politike, çmimin e së cilës Ballkani e ka paguar me qindra mijëra jetë njerëzish.

Të ngjashme
Plagoset një person me armë zjarri në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë

Plagoset një person me armë zjarri në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë

Zhbllokohet ndeshja, Anglia kalon në epërsiiii

Zhbllokohet ndeshja, Anglia kalon në epërsiiii

Begaj në Kiev për samitin Ukrainë-Europa Juglindore: Mbështetja pa kushte duhet të shkojë përtej deklaratave

Begaj në Kiev për samitin Ukrainë-Europa Juglindore: Mbështetja pa kushte duhet të shkojë përtej deklaratave

Deputeti i Budenstagut: Serbia duhet ta shkarkojë menjëherë ministren Paunoviq

Deputeti i Budenstagut: Serbia duhet ta shkarkojë menjëherë ministren Paunoviq

Mbyllet pa gola pjesa e parë mes Anglisë dhe Argjentinës

Mbyllet pa gola pjesa e parë mes Anglisë dhe Argjentinës

Walker shpërthen pas deklaratës së ministres serbe: Edhe ajo është një kriminele lufte

Walker shpërthen pas deklaratës së ministres serbe: Edhe ajo është një kriminele lufte

“U kry”, Përparim Rama: Lëshohet për qarkullim rruga “Fehmi Lladrovci”

“U kry”, Përparim Rama: Lëshohet për qarkullim rruga “Fehmi Lladrovci”

Kearns: Deklaratat e Paunoviqit, njollë për Qeverinë e Serbisë

Kearns: Deklaratat e Paunoviqit, njollë për Qeverinë e Serbisë

Superndeshja Angli – Argjentinë: Publikohen 11-shet startuese

Superndeshja Angli – Argjentinë: Publikohen 11-shet startuese

Raportohet se në Prizren është arrestuar Hektor Avdyli, nipi i Haxhi Avdylit, ka urdhërarrest nga SHBA

Raportohet se në Prizren është arrestuar Hektor Avdyli, nipi i Haxhi Avdylit, ka urdhërarrest nga SHBA

Abdixhiku kërcënon me ndarje? - Kreu i LDK-së flet për pasoja e për zhvillime të mëtejme pas dorëzimit të nënshkrimeve

Abdixhiku kërcënon me ndarje? - Kreu i LDK-së flet për pasoja e për zhvillime të mëtejme pas dorëzimit të nënshkrimeve

Alarmi i helmimit në ‘Sach’ dhe në Han të Elezit, këto janë produktet e dyshuara

Alarmi i helmimit në ‘Sach’ dhe në Han të Elezit, këto janë produktet e dyshuara

0:000:00