Sveçla shpall “persona non grata” ministren serbe Snezana Paunoviq

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka shpallur “persona non grata” ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezana Paunoviq.
Sipas Sveçlës, vendimi përfshin ndalim të përhershëm të hyrjes ose të kalimit transit të Paunoviqit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
“Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë, ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve”, ka deklaruar ai.
Sveçla ka kërkuar që deklaratat e Paunoviqit të dënohen nga shtetet dhe shoqëritë demokratike, duke i cilësuar ato si nxitëse të urrejtjes dhe destabilizimit.
“Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike”, ka shkruar Sveçla.











