Rama për deklaratën e ministres serbe: Institucionet e Kosovës të reagojnë me qartësi, reagimi nuk është zgjedhje politike por përgjegjësi shtetërore

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se deklarata e ministres së qeverisë së Serbisë se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, është artikulim i hapur i një ideologjie që nxit dhe mbështet luftëra, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Rama thekson se “kjo është fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës dhe është relativizim dhe legjitimim i një prej krimeve më të rënda që njeh e drejta ndërkombëtare”.
“Është alarmuese që, më shumë se dy dekada pas luftës, një anëtare e kabinetit qeveritar të Serbisë flet me këtë gjuhë, për një nga aktet më makabre e kriminale të shekullit të kaluar”, vlerëson Rama.
“Evropa është ndërtuar mbi refuzimin e ideologjive të spastrimit etnik. Prandaj, çdo heshtje përballë një deklarate të tillë është një precedent i rrezikshëm. Bashkimi Evropian dhe e gjithë bota demokratike duhet ta dënojnë pa ekuivok këtë retorikë!”, shprehet ai.
Tutje Rama thotë se “po aq e rëndësishme është që institucionet e Republikës së Kosovës të reagojnë me qartësi, dinjitet dhe vendosmëri!”.
“Institucionet janë për të mbrojtur të vërtetën historike, kujtesën e viktimave dhe pozicionin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Përballë një deklarate që justifikon spastrimin etnik, reagimi institucional nuk është zgjedhje politike është përgjegjësi shtetërore.
Kosova fatkeqësisht e njeh çmimin e kësaj gjuhe. E ka paguar me jetë njerëzish dhe me qindra mijëra qytetarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Pikërisht për këtë arsye, askush nuk duhet ta trajtojë këtë deklaratë si një incident kalimtar. Ajo duhet të dënohet ashpër, qartë dhe asesi nuk guxon të kaloj në heshtje”, është shprehur Rama.











