Ja sa ka shkuar numri i nënshkrimeve për shkarkimin e Abdixhikut

Që nga mesi i javës së kaluar, një grup delegatësh të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, në të cilën synohet të hidhet në rend dite kërkesa për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, shkruan Periskopi.
Enis Rrustemi, Periskopi
Sipas burimeve të Periskopit, nga dita e djeshme ku ishin rreth 150 nënshkrime, sot numri ka shkuar rreth 180- ndërsa pritet që ky numër të tejkalojë 200 në orët dhe ditët në vijim. Burimet pohojnë se mbështetja për iniciativën vazhdon të rritet dhe se numri i nënshkrimeve konsiderohet i mjaftueshëm për të proceduar me kërkesën për shkarkimin e kryetarit aktual. Kuvendi i LDK-së përbëhet nga gjithsej 355 delegatë.
Burime të Periskopit brenda LDK-së bëjnë të ditur se zyrtarë të afërt me Abdixhikun po zhvillojnë vazhdimisht kontakte me delegatë, duke u bërë thirrje që të mos nënshkruajnë kërkesën për shkarkimin e tij.
Sipas të njëjtave burime, shumë shpejt pritet të thirret Kuvendi i LDK-së, ku pritet të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë.
Nga ana tjetër, Abdixhiku së fundmi kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, dhe të kryetarit të Degës në Lipjan, Imri Ahmeti, duke i konsideruar të dobëta rezultatet e arritura në këto degë.
Megjithatë, Abdixhiku kishte deklaruar më herët se Kuvendi i rregullt i LDK-së do të mbahet në vitin 2027. /Periskopi/











