Skandal në Senegal: Pas 10 vitesh zbulohet se mjeku i kombëtares ishte gjinekolog

Pas 10 vjetësh Senegali zbuloi se doktori Fedior ishte me formim gjinekolog, pra pa asnjë kompetencë specifike në mjekësinë sportive.
Një nga situatat më të pabesueshme të Botërorit dhe të futbollit vjen drejtpërdrejt nga Senegali. Në kuadër të procesit të rinovimit të kombëtares pas një eksperience jo shumë bindëse në Botëror, e pësoi edhe mjeku zyrtar i ekipit, i cili u detyrua të largohej nga detyra pas plot 10 vitesh. Arsyeja është e vështirë për t’u besuar: u zbulua se doktori Fedior ishte me formim gjinekolog, pra pa asnjë kompetencë specifike në mjekësinë sportive. Por a është vërtet kështu apo bëhet fjalë për një lëvizje për ta njollosur?
Mjeku i Senegalit është gjinekolog
Do të thuhej: “e pabesueshme, por e vërtetë”. Zbulimi erdhi drejtpërdrejt nga presidenti i Federatës së Futbollit të Senegalit, Abdoulaye Fall. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij pranuan se e kishin kuptuar shumë vonë se mjeku që kishte shoqëruar ekipin në vitet e fundit, përfshirë edhe në Botëror, nuk duhej ta kishte mbajtur kurrë atë detyrë dhe, për rrjedhojë, nuk mund të kujdesej dhe t’u jepte siguri futbollistëve. Pak ditë pas eliminimit nga Belgjika, që çoi edhe në shkarkimin e trajnerit Pape Thiaw dhe stafit të tij, numri një i futbollit senegalez deklaroi me qetësi: “Por është edhe një aspekt tjetër: mjeku ynë kryesor, në fakt, nuk ka profilin akademik të duhur për të ndjekur sportistë të këtij niveli. Dhe kjo është diçka për të cilën u ndërgjegjësova vetëm shumë vonë.”
Futbollistët e Senegalit e kuptuan se diçka nuk shkonte
Mjeku i kombëtares senegaleze, pra, nuk do të kishte asnjë specializim në fiziologjinë e sportistëve meshkuj, në parandalimin dhe trajtimin e dëmtimeve apo në rikuperimin muskulo-skeletor, pra në ortopedi, traumatologji ose fiziatri. Përkundrazi, duke qenë gjinekolog, ai ishte i specializuar vetëm në degën e mjekësisë që merret me shëndetin e sistemit riprodhues femëror. Fall vazhdoi: “Doktori Fedior është, në fakt, gjinekolog me profesion. Dhe besoj se, në këtë nivel, nga sa më është bërë e ditur, lojtarët nuk ishin mjaftueshëm të bindur se mund të ndiqeshin vazhdimisht prej tij. Prandaj ishte e nevojshme të gjendej një figurë me përvojë specifike dhe bindëse, që të mund t’i qetësonte plotësisht, sepse shëndeti vjen para çdo gjëje.”
Në praktikë, duket se ishin vetë futbollistët që me kalimin e kohës e kuptuan se diçka nuk shkonte. Ishte e pamundur të vazhdohej me një mjek që mund të kishte vetëm njohuri të përgjithshme për rastet në futboll, por që ishte specialist në një fushë krejt tjetër. Një rast simbolik për të shpjeguar gjithçka që nuk funksionoi brenda grupit senegalez gjatë Botërorit. Nuk është rastësi që, pas kualifikimit në fazën e 1/16-ve falë fitores ndaj Irakut dhe pas humbjeve me Francën dhe Norvegjinë, erdhi edhe ndeshja e çmendur me Belgjikën, ku afrikanët ishin në avantazh me dy gola deri në minutat e fundit, përpara se të pësonin përmbysjen dhe të eliminoheshin. Tani hapet një faqe e re.
Mbrojtja e doktor Fediorit dhe përgënjeshtrimet
Në të vërtetë, ka edhe nga ata që pretendojnë se doktori Fedior ishte specializuar edhe në mjekësinë sportive dhe këtë e kishte bërë të ditur që në vitin 2018. Për më tepër, kjo do të vërtetohej edhe nga pjesëmarrja e tij në disa aktivitete ndërkombëtare. Sipas këtyre pretendimeve, ai është i regjistruar në specialitetin e Mjekësisë Sportive, zotëron një diplomë DES në Mjekësi dhe Biologji Sportive dhe ka punuar si mjek edhe për klube futbolli, hendbolli, noti dhe çiklizmi. Atëherë, pse të dalë pikërisht tani kjo fushatë baltosjeje? Ka nga ata që mendojnë se bëhet fjalë për një përpjekje për të justifikuar një revolucion të vërtetë në kombëtaren e Senegalit./Periskopi











