S'ka Kuvend të LDK'së këtë javë, Manaj: Deklarohen nga anëtarësia

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka bërë të ditur se janë duke u zhvilluar procedurat teknike dhe verifikimi i nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të LDK-së, për të cilin tha se ekziston urgjencë për t’u mbajtur.
Ai tha se aktualisht po verifikohen kërkesa dhe delegatët, në mënyrë që të përgatitet mbajtja e Kuvendit të partisë.
“Siç e dini është çështje e procedurës. Ju e dini që është dorëzuar kërkesa dhe janë duke u kryer të gjitha punët edhe teknike për thirrjen e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Sipas Manajt, për shkak të zhvillimeve aktuale, mbajtja e Kuvendit konsiderohet urgjente.
“Mendojmë që është me urgjencë, prandaj punët janë duke u kryer shpejt në mënyrë që të verifikohet kërkesa, të verifikohen delegatët dhe të bëhen të gjitha përgatitjet për Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Megjithatë, ai vlerësoi se mbajtja e Kuvendit brenda kësaj jave është e vështirë, për shkak të procedurave organizative dhe nevojës për njoftimin e delegatëve.
“Varësisht prej punëve. Besoj që brenda javës është problem sepse duhet pastaj përgatitjen edhe të ftesave për gjithë delegatët e Kuvendit dhe delegatët e Kuvendit duhen ta kenë ftesën”, tha ai.
I pyetur lidhur me raportimet për një marrëveshje mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Manaj mohoi se ka pasur një dakordim të tillë.
“Jo, besoj që për këtë ju jepet me përgjigje edhe kryetari i Lidhjes Demokratike edhe të tjerët, nuk ka pasur marrëveshje edhe nuk ka qenë ajo marrëveshje që është prezantuar në media”, tha ai.
Ai sqaroi po ashtu se takimet që po mbahen në selinë e LDK-së nuk janë mbledhje të organeve partiake, por takime pune në funksion të përgatitjeve për Kuvendin.
“Jo, nuk është takim i organeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është takim, janë takime punuese që ka thirrur edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, në vazhdën e përgatitjeve për thirrjen e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.











