"Ministër, qiti rezultatet" - Qumështorja “VITA” thirrje Armend Mujës

Qumështorja “VITA” përmes një deklarate për media kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë së Armend Mujës dhe nga AUV që t’i publikojnë rezultatet e analizave pas inspektimit që kanë bërë në qumështore.
Qumështorja VITA thotë se pavarësisht shumë kërkesave të adresuara në Ministri dhe AUV, rezultatet e analizave të mostrave po mbahen dhe nuk po publikohen nga njëra prej këtyre institucioneve.
“Sot jemi me datë 16.07.2026 dhe pavarësisht shumë emailave dhe kërkesave zyrtare të drejtuara Ministrisë dhe AUV, rezultatet e analizave të mostrave po mbahen në AUV dhe nuk po publikohen nga Ministria apo AUV”, thuhet në reagim.
Postimi i plotë:
DEKLARATË PËR MEDIA
MINISTËR, QITI REZULTATET
Të nderuar konsumatorë dhe opinion publik,
Siç jeni vënë në dijeni më datë 06.07.2026 nga Qumështorja Vita, kemi njoftuar opinionin publik dhe fermerët, se do të rifillojmë menjëherë me grumbullimin e qumështit nga fermerët, pasi që gjatë takimit të mbajtur më datë 06.07.2026, Ministri Muja dhe përfaqësuesit e AUV, na patën premtuar se do të publikojnë rezultatet e analizave të mostrave, jo më larg se data 13.07.2026.
Sot jemi me datë 16.07.2026 dhe pavarësisht shumë emailave dhe kërkesave zyrtare të drejtuara Ministrisë dhe AUV, rezultatet e analizave të mostrave po mbahen në AUV dhe nuk po publikohen nga Ministria apo AUV.
Ne si Qumështore Vita nuk e kemi të qartë se për çfarë arsye AUV nuk është në gjendje që të na përcjellë rezultatet e analizave të marra më datë 02.07.2026. Pra, kanë kaluar më shumë se 2 javë nga data e marrjes së mostrave, kurse rezultatet e mostrave të marra në Dogana nga produktet e importuara, publikohen brenda ditës.
Ne i dimë rezultatet, sepse e dimë se çka përpunojmë dhe punën si e bëjmë. Rezultatet nuk mund të jenë ndryshe, përveçse 100% qumësht. Por, kërkojmë që me urgjencë dhe menjëherë të na dërgohen rezultatet e analizave të mostrave të datës 02.07.2026, në mënyrë që edhe ata që kishin dyshime, të binden se Qumështi Vita është 100% qumësht.
Fermerët nuk meritojnë heshtje. Qytetarët nuk meritojnë paqartësi.
Kosova meriton institucione që mbajnë fjalën e dhënë!
VITA do të vazhdojë të qëndrojë në anën e fermerëve, të transparencës dhe të së vërtetës. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari publikimin e plotë të fakteve, sepse vetëm faktet mund t’u japin fund spekulimeve dhe të rikthejnë besimin e qytetarëve.
Ministër, AUV, qiti rezultatet!











