SHBA godet me raketa aeroportin në Iran, raportohen shpërthime të reja në disa zona

Aeroporti i Iranshahr, në juglindje të Iranit, është goditur me raketa nga Shtetet e Bashkuara, sipas raportimeve të mediave iraniane. Gjithashtu raportohet se është goditur edhe një urë pranë zonës së Ngushticës së Hormuzit.
Më herët, shpërthime të reja u raportuan në qytetin Ahvaz dhe në Bushehr, në provincën jugperëndimore të Khuzestanit. Lajmi u bë i ditur nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Mehr, e cila citoi zëvendësguvernatorin e provincës.
Deri tani nuk ka detaje të tjera zyrtare për shkaqet e shpërthimeve, ndërsa nuk janë publikuar të dhëna për viktima apo përmasat e dëmeve.
Ahvazi është një nga qytetet më të rëndësishme të jugperëndimit të Iranit dhe ndodhet në provincën Khuzestan, e cila ditët e fundit është kthyer në një nga zonat kryesore të përshkallëzimit ushtarak, pasi janë raportuar vazhdimisht sulme amerikane ndaj objektivave në këtë rajon.
Më herët, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi nisjen e një vale të re sulmesh ndaj objektivave iraniane, e gjashta me radhë pas përfundimit të armëpushimit të përkohshëm mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, ushtria iraniane e cilësoi Ngushticën e Hormuzit si një “vijë të kuqe të panegociueshme”, duke paralajmëruar se do të përgjigjet fuqishëm ndaj çdo përshkallëzimi të mëtejshëm amerikan.
Gjithashtu, Teherani deklaroi se do të godasë “të gjitha infrastrukturat në të gjithë rajonin”, nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin sulme ndaj instalimeve kritike iraniane.











