Beqiri nuk kursehet ndaj Abdixhikut: LDK nuk është pronë private, zgjedhje të reja në të gjitha nivelet e partisë

Një nga figurat më të njohura e historike të LDK-së, Ismet Beqiri ka dal me një reagim të fuqishëm kundër kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Beqiri me anë të një postimi ka kërkuar përgjegjësi dhe reflektim pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet nacionale.
“Mjaft më me farsa, fjalë boshe, dekorime dhe dekorata për humbjet tona, për vendin e tretë (tri herë radhazi). Duhet kurajo, guxim dhe gajret me e pranu humbjen. Është krijuar një standard në LDK, kur i humb zgjedhjet Kryetari lëshon rrugë si përgjegjësi kryesor e pastaj edhe të tjerët. LDK duhet të shkoj në zgjedhje të reja në të gjitha nivelet. LDK nuk është pronë private.”, ka shkruar ndër të tjera Beqiri në postimin e tij.
Postimi i plotë:
KOHA PËR REFLEKTIM, PËRGJEGJËSI DHE NDRYSHIM.
LDK duhet me u marrë me veten, pse jemi parti e tretë, pse nuk po bëhemi konkurrues për vendin e parë.
Nuk është turp me humb, por është turp dhe e papranueshme mos me pranu humbjen, mos me reflektu dhe me u sjellë sikur je fitues.
Reflektimi dhe marrja me veten tonë janë urgjente dhe të domosdoshme.
Diçka nuk po shkon. Kur nuk shkon, duhen ndryshime. Sa më shpejt, aq më mirë.
Mjaft më me farsa, fjalë boshe, dekorime dhe dekorata për humbjet tona, për vendin e tretë (tri herë radhazi).
Duhet kurajo, guxim dhe gajret me e pranu humbjen.
Është krijuar një standard në LDK, kur i humb zgjedhjet Kryetari lëshon rrugë si përgjegjësi kryesor e pastaj edhe të tjerët.
LDK duhet të shkoj në zgjedhje të reja në të gjitha nivelet.
LDK nuk është pronë private.
LDK është e qytetarëve të Kosovës, e anëtarëve të saj; është aset kombëtar.
Po shkruaj dhe flas nga zemra, si dikush që për mbi 36 vite i kam shërbyer LDK-së, Kosovës dhe institucioneve të saj.
Falë punës sime, LDK-së dhe qytetarëve tanë, kam arritur këtu ku jam; 5 vite Kryetar i Komunës së Prishtinës dhe 6 mandate Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të gjitha këto të fituara me votë.
Këtë gjendje në LDK as nuk e dua, as nuk e pranoj.
LDK me vështirësi, por ka mbijetuar edhe pas shkuarjes në amshim të Presidentit dhe Kryetarit të papërsëritshëm, Ibrahim Rugova. E lëre më tash. Ua heq këtë merak dhe shqetësim, nëse rastësisht e ka dikush.
Edhe pse pothuajse gjatë gjithë garave elektorale, për shumë e shumë vite, kam qenë fitues si Kryetar me Degën e Parë, Kodra e Trimave në Prishtinë, kam dhënë shembullin personal, kam lëshuar rrugë në vitin 2023 duke mos kandiduar për Kryetar Dege, jo si humbës, por si një ndër udhëheqësit me fitoret më të shumta.
LDK-ja është më e vlefshme se posti i kujtdoqoftë.











