Rodri thotë se Spanja ka kapacitet ta mposhtë Francën

Kapiteni i Spanjës, Rodri, beson se skuadra e tij ka gjithçka që nevojitet për ta mposhtur Francën në gjysmëfinalen e shumëpritur të Kupës së Botës, që do të zhvillohet në Dallas.
Mesfushori i Manchester Cityt e bazon besimin te fitoret e fundit ndaj “Les Bleus”, ndërsa “La Roja” synon të arrijë finalen e parë botërore që nga viti 2010.
Rodri nuk është aspak i frikësuar nga përballja me një nga favoritët e turneut.
Duke folur para ndeshjes në stadiumin “AT&T”, fituesi i “Topit të Artë” theksoi se Spanja ka dëshmuar tashmë se mund ta mposhtë Francën.
“Franca është një nga skuadrat më të mira këtu dhe është në formë të shkëlqyer, por edhe Spanja është po ashtu. Ne mund t’i mposhtim, e kemi treguar këtë në Kampionatin Evropian dhe në Ligën e Kombeve,” tha kapiteni spanjoll.
Sukseset ndaj Francës nuk janë diçka e re për Rodrin. Ai ishte pjesë e ekipit që e eliminoi Francën në gjysmëfinalen e Evropianit U19 në vitin 2015, si edhe në gjysmëfinalen e Euro 2024 dhe në Ligën e Kombeve verën e kaluar.
Duke folur për trajnerin Luis de la Fuente, Rodri u shpreh:
“Luis de la Fuente nuk ka ndryshuar fare. Pikërisht aty ai filloi të ndërtonte gjithçka që po shohim sot”.
Edhe pse shumë presin një tjetër spektakël si fitorja 5-4 e vitit të kaluar, Rodri mendon se kjo përballje do të jetë shumë më e kujdesshme.
“Ndeshjet e Kupës së Botës janë krejt ndryshe. Nuk besoj se do të jetë aq e hapur.”
Një pjesë e rëndësishme e planit taktik të Spanjës është talenti 19-vjeçar Lamine Yamal. Megjithatë, Rodri beson se bashkëlojtari i tij duhet të gjejë ekuilibrin mes talentit të jashtëzakonshëm dhe presionit emocional që sjell një turne i tillë.
“Mendoj se duhet të qetësohet pak, ta kontrollojë atë ankth që ndonjëherë ka për ta dëshmuar veten. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, për atë që bën me dhe pa topin, dhe është një djalë shumë inteligjent. Është e vërtetë që është vetëm 19 vjeç dhe në disa momente të ndeshjes duhet ta ndihmojmë të qetësohet.”
Pavarësisht se Yamal ende nuk ka shënuar në këtë Kupë Bote, liderët e kombëtares vazhdojnë ta mbështesin plotësisht.
“Ai është një djalë që dëgjon, që gjithmonë dëshiron të mësojë,” shtoi Rodri, duke e cilësuar talentin e Barcelonës si një shembull për të tjerët.
Vetëbesimi që mbizotëron në kampin spanjoll nuk ka kaluar pa u vënë re nga francezët. Nga kampi i Francës, mbrojtësi i ri i Real Madridit, Ibrahima Konate, deklaroi se “Les Bleus” po qëndrojnë me këmbë në tokë dhe nuk i kushtojnë rëndësi pretendimeve se duhet të kenë frikë nga Spanja.
Franca synon të hakmerret për eliminimin në Euro 2024, por është e vetëdijshme se nuk mund të përqendrohet vetëm te Lamine Yamal, pasi Spanja ka cilësi në çdo repart.
“Franca ka cilësi të mëdha në sulm, por do të veçoja edhe forcën e saj në mbrojtje,” përfundoi Rodri.
“Ata mbrohen shumë mirë me bllok të ulët, janë shumë fizikë dhe agresivë. Ne duhet ta çojmë ndeshjen aty ku duam ne”./ Periskopi/











