Ministrja në Qeverinë e Serbisë: Po të kisha qenë në vend të Millosheviqit, do e kisha pastruar etnikisht Kosovën

Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta pastronte etnikisht Kosovën.
Këto deklarata ajo i ka bërë gjatë një interviste në televizionin serb “Kurir”.
“Po të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastroja etnikisht Kosovën. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si po duan ata të na likuidojnë neve, por në atë mënyrë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në shtetin e tyre amë”, ka thënë ajo.
Paunoviq është e njohur për qëndrimet e saj anti-Kosovë. Në vitin 2022, kur ajo ishte nënkryetare e Kuvendit të Serbisë, kishte kërkuar arrestimin dhe shpërnguljen e depuettit të vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi. Ai këtë e pati bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.
“Nëse kemi gabuar me lirimin e Albin Kurtit nga burgu, mos të gabojmë me mosarrestimin e Shaip Kamberit. Nëse nuk është e mundur kjo ta shpërngulim nga këtu”, kishte deklaruar ajo në seancën parlamentare ku ishte debatuar për dialogun Kosovë-Serbi.
Sllobodan Millosheviq ishte shkaktari i luftërave në Kosovë, të vrasjes së mbi 14 mijë shqiptarëve e dëbimit të mbi 1 milion të tyre, Sllobodan Millosheviq.
Ai vdiq më 11 mars 2006 në Tribunalin e Hagës, i akuzuar, por i pa dënuar, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.











