Policia bastisi zyrat e Federatës Gjermane të Futbollit, menjëherë pas eliminimit nga Botërori

Policia ka zhvilluar një bastisje të madhe në federatën gjermane të futbollit, DFB, vetëm pak orë pasi Gjermania u eliminua nga Kupa e Botës.
Të hënën në mbrëmje, skuadra e Julian Nagelsmann pësoi një humbje turpëruese ndaj Paraguait pas ekzekutimit të penalltive.
Paraguai ishte kualifikuar në fazën me eliminim direkt si njëra nga kombëtaret më të mira të vendit të tretë.
Seria e penalltive shkaktoi polemika të mëdha në rrjetet sociale, pasi disa lojtarë të Gjermanisë refuzuan të merrnin përgjegjësinë për të goditur penallti, përpara se Jonathan Tah ta dërgonte penalltinë vendimtare shumë mbi traversë.
Penalltia e dobët e Tah – e para që ai ka ekzekutuar në karrierën e tij profesionale – erdhi pasi disa nga bashkëlojtarët e tij hezituan dhe shmangën “sfidën” për të marrë përgjegjësinë në momentin kur kombëtarja kishte më shumë nevojë për ta.
Si rezultat, kjo është Kupa e tretë e Botës radhazi ku Gjermania nuk arrin të kalojë fazën e 1/8 së finales, duke humbur edhe mundësinë e një përballjeje të shumëpritur me Francën.
Megjithatë, eliminimi i hershëm nga turneu më prestigjioz i futbollit nuk është problemi i vetëm për vendin, pasi federata gjermane e futbollit u bë objekt i një bastisjeje të madhe vetëm 36 orë pas eliminimit.
Sipas “City AM”, operacioni i zhvilluar të mërkurën në mëngjes përfshiu më shumë se 150 efektivë policie, të cilët kontrolluan zyrat e DFB-së në Frankfurt, si dhe bashkitë e disa qyteteve që kishin organizuar ndeshje të Euro 2024.
Hetimi ka të bëjë me dyshimet nëse zyrtarë të këtyre qyteteve kanë marrë përfitime falas nga federata gjatë turneut, përfshirë bileta ndeshjesh, udhëtime dhe akomodim në hotele, veprime që konsiderohen si “ryshfet”.
Duke folur për situatën, ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Herbert Reul, tha: “Një biletë futbolli nuk është pjesë e pagës. Kushdo që punon në shërbimin publik dhe shtrin dorën për të marrë përfitime, mund të presë që ne t’i trokasim në derë.”
Raporti pretendon gjithashtu se dy persona të lidhur me komitetin organizues të turneut kanë qenë të përfshirë në shpërndarjen e biletave falas për gjysmëfinalen e Euro 2024 mes Spanjës dhe Francës. Policia dhe prokuroria publikuan një deklaratë të përbashkët.
“Objekti i hetimit janë përfitime të dyshuara të paautorizuara – përfshirë pjesëmarrjen në një ndeshje ndërkombëtare futbolli – të cilat një person i akuzuar, që në atë kohë punonte për një qytet organizator, dyshohet se i ka marrë nga përgjegjësit e shoqërisë organizuese.
“Përveç kësaj, drejtuesit e shoqërisë organizuese dyshohet se u kanë ofruar qyteteve organizatore të drejtën ekskluzive të parablerjes së biletave (të drejtë prioritare blerjeje), e cila është shfrytëzuar pjesërisht nga këto qytete dhe më pas është përdorur në mënyra të ndryshme.”
Edhe pse DFB ka një histori polemikash – më e njohura është ryshfeti ndaj zyrtarëve të FIFA-s për të siguruar të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2006 – shqetësimi më i madh i Gjermanisë mbetet ajo që po ndodh në fushë.
Humbja ndaj Paraguait në fazën e 1/16 së finales ka ngritur pikëpyetje serioze nëse Julian Nagelsmann është njeriu i duhur për ta udhëhequr kombëtaren në turnetë e ardhshëm, ndërsa 38-vjeçari po ndien gjithnjë e më shumë presionin.
“Nëse nuk arrin ta mposhtësh Paraguain brenda 120 minutave, atëherë e meriton eliminimin,” tha ai pas ndeshjes. “Nuk duhet të varesh nga fati apo mungesa e fatit të kundërshtarit.”
Ai shkoi edhe më tej duke pranuar se Gjermania nuk mund të konsiderohet më pjesë e elitës së futbollit botëror.
“Nëse eliminohesh nga Paraguai, atëherë thjesht nuk je një ekip i klasit të parë. Jam shumë i zhgënjyer,” shtoi ai.
Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, është lidhur me postin e trajnerit të Gjermanisë në rast se Nagelsmann shkarkohet pas këtij dështimi në Kupën e Botës, ndërsa raportohet se ai është i gatshëm ta marrë drejtimin e kombëtares./ Periskopi/











