Ngjarje e rëndë në Gjermani: Punonjësi i bankës vritet me thikë, autori ende brenda ndërtesës

Një operacion i madh policor është zhvilluar pasditen e së enjtes në perëndim të qytetit të Regensburgut, pasi një person u sulmua me thikë brenda një dege bankare.
Sipas autoriteteve gjermane, viktima, një punonjës i bankës, humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra, raportojnë mediat gjermane.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:50, në një bankë pranë zonës Rennplatz Zentrum. Pas alarmit, dhjetëra patrulla policore bllokuan rrugën “Stromerstraße”, ndërsa në vendngjarje u angazhuan edhe forcat speciale të armatosura rëndë, një helikopter policor, ekipet e emergjencës dhe psikologët për mbështetje.
Sipas policisë, autori i dyshuar, një burrë i armatosur me thikë, besohet se ndodhet ende brenda bankës. Autoritetet theksojnë se deri tani bëhet fjalë për një autor të vetëm, ndërsa motivi i sulmit mbetet i paqartë.
Bazuar në raportimet e mediave, viktima arriti të dilte nga godina e plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Dy punonjës të tjerë të bankës thuhet se ishin barrikaduar në një dhomë brenda objektit. Më vonë, policia konfirmoi se dy persona janë evakuuar nga ndërtesa.
Autoritetet nuk kanë mundur ende ta lokalizojnë autorin brenda bankës. Për këtë arsye, nuk dihet nëse ndonjë person tjetër ndodhet ende në objekt apo nëse bëhet fjalë për një situatë pengmarrjeje.
Një zëdhënës i policisë deklaroi se nuk mund të konfirmohet ende nëse rasti ka të bëjë me një pengmarrje, megjithëse kjo mbetet një nga pistat që po hetohet.
Grupi negociator i policisë është përpjekur të vendosë kontakt me të dyshuarin, por deri tani pa rezultat. Gjithashtu, nuk janë paraqitur asnjë kërkesë apo pretendim nga autori.
Banka ndodhet në katin përdhes të një kompleksi të madh banimi, ndërsa në katet e sipërme ndodhen apartamente. Operacioni policor vijon, ndërsa zona mbetet e rrethuar për arsye sigurie./Periskopi/











