Malisheva me fitore të madhe ndaj Hibernianit skocez

Malisheva ka regjistruar njërën prej fitoreve më të rëndësishme në histori. Të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë fitoi 2:0 përballë skuadrës së njohur skoceze, Hibernian. Ishte ndeshja e parë e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja kthyese luhet pas një jave.
Kreshnik Uka ishte lojtari i ndeshjes. Ish-sulmuesi i Drenicës dhe golashënuesi më i mirë i elitës së futbollit kosovar me 19 gola në sezonin e kaluar, shënoi e asistoi në këtë ballafaqim.
Uka realizoi fillimisht në minutën e 21-të. Ai pranoi top të mirë në zonë nga Arlind Veliu dhe realizoi nga afërsia. Uka e kreu punën edhe në golin e dytë kur asistoi për Valmir Nafiun, që shënoi në minutën e 90-të për 2:0, raporton Koha.net, transmeton Periskopi.
Për Malishevën është edicioni i tretë rresht në kualifikimet e kupave evropiane.
Hiberniani është katër herë kampion i elitës skoceze dhe tri herë fitues i Kupës së Skocisë. Titullin e fundit e fitoi në edicionin 1951/52.
Malisheva, e themeluar në vitin 2016, në raundin e parë kualifikues e eliminoi Vllazninë e Shkodrës.
Skuadra që avancon, në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës përballet me fituesin ndërmjet Bravos sllovene dhe Shkëndijës së Tetovës./Periskopi/











