Kryesuesi-anëtarit të KGJK’së: Po kërkon vëmendje pasi këtë çështje e ngriti u.d. presidentja

Në takimin e 371-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), është zhvilluar debat mes anëtarit Bashkim Hyseni dhe kryesuesit Rrustem Thaqi lidhur me trajtimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që kanë lënë sistemin e drejtësisë.
Hyseni ka kërkuar nga kryesuesi Thaqi sqarime se mbi çfarë baze kushtetuese dhe ligjore janë mbajtur këto dorëheqje për rreth katër vite.
“Me çfarë baze kushtetuese, ligjore janë mbajtur katër vite? Kjo i bie sikur kapiteni i anijes ta lëshojë timonin për shkak të valëve. Mund ta shpëtojë momentin, por do ta dëmtojë të nesërmen dhe të ardhmen. Cila është përgjigjja juaj, meqenëse ju jeni kryesues dhe duhet ta dini për shkak të kontinuitetit institucional që kanë këto organe?”, ka thënë Hyseni.
Në përgjigje, Thaqi ka thënë se nuk mund të mbahet përgjegjës për këtë çështje dhe ka theksuar se edhe Hyseni, si anëtar i KGjK-së, ka pasur mundësi të paraqesë iniciativa apo propozime.
“Nuk mundesh me më mbajt përgjegjës për këtë pikë. Edhe unë edhe ti jemi anëtarë. Nuk kam obligim as përgjigje me të dhënë, sepse ti po do me i dhënë kontest tjetër kësaj çështjeje dhe po do me marrë vëmendje për këtë çështje, që nuk është korrekte nga ana juaj”, ka deklaruar Thaqi.
Ai ka shtuar se kjo çështje është aktualizuar pas kërkesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, drejtuar KGjK-së.
“Unë vetëm mund të të pyes: prej kur je zgjedhur anëtar i Këshillit, cila ka qenë iniciativa, kërkesa dhe propozimi yt konkret? Kjo çështje është aktualizuar nga momenti kur ushtruesja e detyrës së presidentes ka paraqitur kërkesë në Këshill, për të cilën ju kam njoftuar me kohë”, ka thënë Thaqi.
Hyseni i është kundërpërgjigjur duke thënë se kryesuesi duhet të japë përgjigje për çështjen.
“Je kryesues dhe duhesh me ditë. Nëse drejtësia duhet t’i shërbejë vetëm drejtësisë, nëse i shërben qëllimeve tjera nuk quhet drejtësi”, tha Hyseni.
Ndërsa Thaqi është përgjigjur se do të jetë i përkushtuar në kryerjen e detyrës së tij.
“Do të jem i përkushtuar që të kryej detyrën time. Por jo duke i shërbyer agjendës ditore”, tha kryesuesi.
Pas kësaj, për shkak të përplasjeve verbale mes anëtarëve Ahmeti Imami dhe Bashkimn Hyseni, kjo mbledhje u ndërpre.











