“Sunny Hill Festival” në qendër të vëmendjes së mediave më të mëdha botërore

Associated Press (AP), Reuters, USA Today, Yahoo dhe Fortune janë ndër platformat ndërkombëtare që kanë vendosur “Sunny Hill Festivalin” në ballinat e tyre, duke e sjellë këtë ngjarje nga Kosova në audiencën globale.
Prania në këto media ndërkombëtare e vendos festivalin në mesin e ngjarjeve muzikore që po tërheqin interes përtej rajonit.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Fever – platforma lider në zbulimin e përvojave dhe argëtimit live, e cila gjatë vitit të kaluar arriti mbi 300 milionë përdorues në më shumë se 40 shtete – do të shërbejë si porta kryesore ndërkombëtare për rezervimin e biletave nga publiku jashtë Kosovës.
Platforma do të përdorë teknologjinë dhe rrjetin e saj global të marketingut për të mbështetur zgjerimin ndërkombëtar të festivalit. Gjithashtu, “Sunny Hill”, do të jetë i listuar edhe në DICE, platformën e biletave që Fever e bleu në vitin 2025, duke e bërë festivalin edhe më të lehtë për t’u zbuluar dhe rezervuar nga fansat në mbarë botën.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është të lehtësojë udhëtimin e vizitorëve ndërkombëtarë, të nxisë shkëmbimin kulturor dhe të forcojë ndikimin ekonomik të festivalit në turizmin e Kosovës.
Edicioni i sivjetmë i “Sunny Hill Festival”, do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht 2026 në “Sunny Hill Festival Park” në Prishtinë.
Në mesin e emrave të konfirmuar për këtë vit janë Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Dhurata Dora, Ledri Vula, Blanco, Adam Port dhe Rampa nga Keinemusik, PAWSA, Seth Troxler, Carlita, MC Kresha & Manifest, si dhe shumë artistë të tjerë.
Festivali u themelua në vitin 2018 nga Dukagjin “Dugi” Lipa, ndërsa promovimi i tij ndërkombëtar udhëhiqet nga fituesja e trefishtë e çmimit “Grammy”, Dua Lipa.

Themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa, tha se “Sunny Hill” ka qenë gjithmonë më shumë sesa një festival muzikor.
“’Sunny Hill’ ka qenë gjithmonë më shumë se muzikë. Për disa ditë çdo verë, ne e sjellim botën në Kosovë dhe i gjithë vendi e ndien këtë. Vëmendja që festivali i sjell Kosovës është një promovim që asnjë fushatë turistike nuk do të mund ta blinte ndonjëherë. Vlera që krijohet mbetet këtu – në ekonominë e vizitorëve, në sektorin kulturor dhe në mundësitë që u hapen të rinjve. Me shtrirjen globale dhe teknologjinë e Fever, do të jetë edhe më e lehtë që fansat nga e gjithë bota të zbulojnë ‘Sunny Hill’-in, të sigurojnë biletat dhe të udhëtojnë drejt Prishtinës”.












