Për herë të parë në QKUK kryhen operime të trurit me teknikën moderne të neuroendoskopisë

Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka shënuar një moment të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve neurokirurgjikale, duke realizuar për herë të parë me sukses operime me teknikën e neuroendoskopisë.
Bëhet fjalë për një metodë moderne dhe minimalisht invazive, e cila mundëson trajtim më të avancuar të patologjive të trurit dhe rrit sigurinë gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.
Në njoftimin e QKUK-së thuhet se më 6 dhe 7 korrik, Klinika e Neurokirurgjisë mirëpriti neurokirurgun e njohur nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos, i cili, së bashku me ekipin profesional të klinikës, udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave.
“Gjatë kësaj vizite u kryen me sukses dy ndërhyrje të rëndësishme: operimi i një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me teknikën neuroendoskopike”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Sipas QKUK-së, në të dy operacionet është përdorur edhe neuronavigatori, një aparaturë moderne që disponohet në Klinikën e Neurokirurgjisë dhe që rrit saktësinë e ndërhyrjeve kirurgjikale.
“Në të dyja ndërhyrjet u përdor edhe neuronavigatori, aparaturë moderne e disponueshme në Klinikën e Neurokirurgjisë, e cila mundëson orientim të saktë anatomik gjatë operacionit, rrit sigurinë e procedurës dhe ndihmon në kryerjen e ndërhyrjeve me precizion maksimal, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë”, theksohet në njoftim.
QKUK bën të ditur se të dy pacientët që iu nënshtruan këtyre ndërhyrjeve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin sipas planit të mjekëve.
Institucioni vlerëson se vizita nuk kishte rëndësi vetëm për suksesin klinik, por edhe për zhvillimin profesional të stafit.
“Përveç suksesit klinik, vizita pati edhe një vlerë të veçantë profesionale dhe edukative. Gjatë gjithë procedurave, mjekët neurokirurgë, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative morën pjesë aktive në trajnim praktik, duke përfituar njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Sipas QKUK-së, ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale të Klinikës së Neurokirurgjisë dhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve moderne që u ofrohen pacientëve në Kosovë.











