Gashi – Kallxo’s: Opinionet pa autor janë vetëm të redaksisë – Kush kërkoi që emri të mos i publikohej?

Analisti Astrit Gashi ka reaguar pas debatit të krijuar rreth publikimit të një opinioni në KALLXO, i nënshkruar me pseudonimin “Lule Gjeli”, duke kërkuar sqarime publike nga mediumi lidhur me arsyet e moszbulimit të identitetit të autorit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Gashi thekson se nënshkrimi i autorit në një opinion nuk është një detaj teknik, por një nga parimet themelore të gazetarisë, pasi garanton përgjegjësi dhe transparencë për atë që publikohet.
Sipas tij, opinionet pa autor janë vetëm ato që përfaqësojnë qëndrimin e redaksisë, ndërsa çdo opinion tjetër duhet të publikohet me emër dhe mbiemër, në mënyrë që autori të marrë përgjegjësi për atë që shkruan dhe publiku të dijë se kush po përpiqet ta bindë.
Gashi thekson se në këtë rast nuk bëhej fjalë për një koment mbi sportin, kulturën apo gastronominë, por për një analizë mbi marrëdhëniet Kosovë–SHBA dhe orientimin strategjik të Kosovës. Sipas tij, pikërisht në tema të tilla standardi i transparencës duhet të jetë maksimal.
Sipas Gashit, kjo nuk përputhet me traditën e gazetarisë në demokracitë perëndimore, ku transparenca mbi autorësinë është rregull, sidomos kur trajtohen çështje që lidhen me politikën, sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në reagimin e tij, ai kërkon që KALLXO të sqarojë se kush kërkoi që identiteti i autorit të mos publikohej, mbi çfarë baze editoriale dhe etike u pranua një kërkesë e tillë dhe cili ishte rreziku konkret që e pamundësonte nënshkrimin e tekstit me emër.
Gashi ngre gjithashtu pyetje edhe për statusin institucional të autorit, duke kërkuar të dihet nëse ai është shtetas i Kosovës apo i një shteti tjetër, nëse është pjesë e institucioneve të Kosovës apo nëse përfaqëson ndonjë qeveri të huaj, organizatë ndërkombëtare ose strukturë të sigurisë. Ai thekson se nuk kërkon publikimin e të dhënave personale të autorit, por argumenton se kur një media bën një përjashtim të tillë nga standardet profesionale, ka detyrimin t'i shpjegojë publikut arsyet e këtij vendimi.











