Filmi kosovar “Shame and Money” fiton çmimin CineMasters Award në Filmfest München

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se kinematografia kosovare ka shënuar një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ajeti bëri të ditur se filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, është shpallur fitues i çmimit CineMasters Award në kuadër të Filmfest München 2026.
“Një tjetër sukses për kinematografinë kosovare. Filmi ‘Shame and Money’, me regji të Visar Morina, është shpallur fitues i CineMasters Award në Filmfest München 2026”, ka shkruar Ajeti.
Ambasadori uroi regjisorin Visar Morina dhe gjithë ekipin realizues për këtë vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar, duke e cilësuar çmimin si një arritje të re për filmin dhe kinematografinë e Kosovës.
Ky sukses vjen si një tjetër dëshmi e prezantimit të filmit kosovar në festivalet prestigjioze ndërkombëtare dhe e vlerësimit që po marrin produksionet vendore në skenën evropiane./Periskopi/












