LDK “shfaq unitet” pas mbledhjes së Kryesisë – por mungesat në fotografi ngrenë pyetje për narrativën e brendshme

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar sot një deklaratë pas mbledhjes së Kolegjiumit të Degëve, sipas është rikonfirmuar mbështetja për kryetarin Lumir Abdixhiku dhe Kryesinë e partisë, si dhe përcaktohet se zgjedhjet e brendshme do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore, shkruan Periskopi.
Derisa sot gjatë ditës Periskopi nga burimet e veta ka raportuar se në këtë takim pritet të diskutohet situata aktuale brenda partisë, ku disa degë dhe figura të larta të LDK-së kanë dalë publikisht duke kërkuar përgjegjësi politike nga udhëheqja, madje edhe dorëheqjen e kryetarit, Lumir Abdixhiku.
Deklarata pas mbledhjes është prezantuar publikisht si qëndrim i përbashkët i strukturave të LDK-së, duke synuar të projektojë mesazhin e unitetit dhe stabilitetit të brendshëm në një periudhë kur debati brenda partisë është intensifikuar ndjeshëm pas rezultatit zgjedhor dhe kërkesave për përgjegjësi politike.
Gjithashtu, zgjedhjet e brendshme pritet të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore.
Megjithatë, zhvillimet që e kanë shoqëruar mbledhjen ngrenë pyetje mbi atë se sa përputhet ky mesazh me realitetin e brendshëm të partisë.
Sipas deklarimeve pas takimit nga anëtari i Kryesisë, Shkëmb Manaj, një emision në Kanal10 në mbledhje nuk kanë marrë pjesë degët e Prizrenit, Pejës dhe Lipjanit.
Këto mungesa, të bëra publike pas përfundimit të takimit, krijojnë një kontrast mes përfaqësimit real dhe mënyrës së komunikimit publik të deklaratës.
Po ashtu, në fotografitë e publikuara në Facebook nga LDK-ja vërehen mungesa të disa figurave të rëndësishme të partisë, përfshirë Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin, Imri Ahmetin dhe Gazmend Muhaxherin, të cilët janë përmendur shpesh në debatin e fundit të brendshëm si zëra kritikë ndaj udhëheqjes aktuale.
Në këtë kontekst, lind pyetja nëse mënyra e prezantimit të deklaratës si “unitet i plotë” i të gjitha degëve pasqyron realisht gjendjen brenda LDK-së, apo nëse synon të ndërtojë një narrativë më të konsoliduar të mbështetjes sesa ajo që reflektohet në praktikë.
Kjo e fundit, sipas interpretimit politik që mund të bëhet nga këto zhvillime, lë hapësirë për debat mbi mënyrën e komunikimit të unitetit brenda partisë në raport me realitetin e pjesëmarrjes dhe qëndrimeve të brendshme.
Ndryshe, Periskopi ka kontaktuar Avdullah Hotin dhe Hykmete Bajramin e Imri Ahmetin
lidhur me mos pjesëmarrjen e tyre në mbledhje dhe zhvillimet e fundit, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij teksti.
Në Komunën e Prishtinës, LDK ka gjithsej pesë [5] degë.
Sipas burimeve të Periskopit, Dega 1, 2 dhe 5 janë KUNDËR që Abdixhiku të jetë kryetar i partisë edhe më tutje. Teksa, Dega 3 dhe 4 janë në përkrahje të tij.
Përvec degëve në Prishtinë, KUNDËR Abdixhikut janë edhe: Peja, Lipjani, Mitrovica, Klina, Prizreni, Rahoveci, Gjakova, Deçani.
Tashmë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor [nga Abdixhiku] kanë kërkuar edhe figura të larta të partisë, si: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Imri Ahmeti, Gazmend Muhaxheri, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Florian Dushi.
"LDK nuk është pronë e askujt...", ka shkruar ndër të tjera Avdullah Hoti, duke shprehur kësisoj paknaqësinë e rezultatit zgjedhor.
Tashmë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor [nga Abdixhiku] kanë kërkuar edhe figura të larta të partisë, si: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Imri Ahmeti, Gazmend Muhaxheri, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Florian Dushi.
“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme", ka shkruar Hykmete Bajrami.
Në krah të Abdixhikut janë figura si: Besian Mustafa, Xhafer Tahiri, Visar Azemi, Alban Zogaj, Berat Rukqi, Paris Guri e të tjerë...
Një fakt që vlen të theksohet është se Kryetari aktual i LDK’së, Lumir Abdixhiku, rezulton të ketë regjistruar raportin më të ulët të votave personale në krahasim me totalin e votave të subjektit që drejton, në historikun e zgjedhjeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore, ku liderët e LDK-së zakonisht kanë mbajtur një peshë më të fortë personale brenda votës së përgjithshme të partisë, rezultati i Abdixhikut shënon një devijim të dukshëm nga kjo traditë.
Me 17.58% të votave, ai renditet në fund të spektrit të performancës personale ndaj partisë, duke reflektuar një ndarje më të theksuar mes votës për subjektin dhe votës për liderin./Albina Zariqi- PERISKOPI/











