Themelorja do të vendosë më 1 korrik për të ndalurit në Gazimestan

Para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuarit për veprën “shkaktim i trazirave dhe rrezikim i rendit dhe qetësisë publike” u deklaruan të pafajshëm, ndërsa vendimi në rastin e tyre do të merret më 1 korrik.
Gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, më 28 qershor, Policia e Kosovës ndaloi 37 persona, me arsyetimin se ata “provokuan masën duke brohoritur parulla provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes”.
Një personi iu shqiptua gjobë, ndërsa 36 të tjerët u proceduan para gjykatës, por nuk u mbajtën në paraburgim.
Avokati Nikolla Todoroviq tha se të akuzuarve u janë konfiskuar dokumentet personale të identifikimit, si dhe se në mesin e të ndaluarve ka kryesisht serbë nga Serbia dhe vendet e rajonit.
“Ka mjaft shtetas të huaj që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe njerëzit janë në vështirësi. Ata duhet të presin shpalljen e vendimit”, tha ai.
Serbët nga Kosova, nga Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht mblidhen çdo 28 qershor në Gazimestan, për të përkujtuar Betejën e Kosovës, përkatësisht betejën kundër osmanëve më 1389.
Në hyrje të Gazimestanit, Policia e Kosovës u shpërndau vizitorëve një njoftim ku thuhej se nuk do të tolerohet “mbajtja dhe shfaqja e simboleve të ndryshme që përfaqësojnë ose nxisin urrejtje ndëretnike, fetare apo politike”.
Disa nga të pranishmit brohoritën “Kosova është Serbi” dhe kënduan këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.











