Paralajmërohet rritja e çmimit të “Prishtina Parking”

Hapësirat të cilat janë nën menaxhim të “Prishtina Parking”, së shpejti mund të kenë ndryshime në çmim.
Kjo, për shkak se komuna është duke punuar në plotësim-ndryshimin e rregullores për menaxhimin e parkingjeve.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se janë duke punuar për të liruar trotuaret.
“Jemi tu punua jashtëzakonisht shumë për me i lirua trotuaret e para, për me ofru opsione,
në këtë fazë jemi duke punuar edhe me investitor privat, pra për me ndërtua parkingje të reja nëntokësore, pastaj jemi duke punuar në rregulloren e “Prishtina Parkingut”, mbas vendimit të Gjykatës Supreme të vitit të kaluar, jemi tu i marrë parasysh të gjitha paragrafet e këtij vendimi, të gjitha verdiktet që i ka dhënë ai vendim edhe tu i plotësu krejt ato, po me plotësim ndryshimin e rregullores për menaxhimin e parkingjeve në qytet besojmë që do të funksionojmë edhe rivlerësojmë çmimet aktuale të parkingut në qytet”, tha ai.
Braha, ka deklaruar se nuk dihet se sa do të jenë çmimet, pasi që kjo është çështje është e dëgjimit publik.
“Nuk mund të themi saktë se sa do të jenë çmimet se edhe ajo është çështje e dëgjimit publik dhe çështje e argumentimeve dhe kundër argumentimeve, momentalisht çmimet janë një euro në zonën qendër, 50 centë në zonën e dytë, po ua marrë për digresion, po e bëj një paralelizëm, nuk ka parking privat në Prishtinë që e ka nën dy euro orën, nuk ka parking që e ka nën dy euro në zonën qendër, nuk ka parking privat në Prizren që e ka nën dy euro domethënë është pak paradoksale, Prishtina me e pasë në zonën qendër një euro orën, e qytetet tjera me pasë dy euro orën”, tha Braha
Braha theksoi se aktualisht janë duke punuar edhe në rregulloren për merimanga, duke treguar se numri i tyre do të shtohet.
“Po pritet me u shtrenjtu, sa do të jetë niveli i shtrenjtimit nuk është çështje që mundemi me paragjyku tash, është çështje e vlerësimit dhe vlerësimit ekonomik dhe impaktit që ka në jetën shoqërore në qytet, por ndikimi në trafik, në lëvizje do të jetë i madh, sigurisht që do të jetë i madh, masat tjera mandej që janë bllokuese, ndëshkuese do të rregullohen të tilla që nuk i rrëzon Gjykata Kushtetuese. Jemi tu punu paralelisht edhe në rregulloren për merimanga, domethënë me e rritë cilësinë e shërbimit të merimangave, kështu që shumë shpejt keni me pa edhe shumë më shumë merimanga dhe shumë më shumë vetura të konfiskuara, brenda qytetit kjo domethënë trotuare të lira, njerëz, qytetarë të këtij qyteti, nëna, njerëz me nevoja të veçanta me pas hapësirë të lëvizjes shumë më të sigurtë dhe më të lehtë”, tha Braha.
Sa i përket gjobave, Braha tha se ndërmarrja “Prishtina Parking” nuk mund të gjobisë askënd ,mirëpo do të asistojë Policinë e Kosovës dhe Inspeksionin në këtë veprim.
“Prishtina Parking nuk mundet me gjobit, e ka mandatuar Gjykata Supreme se gjobat janë vetëm të inspeksionit dhe të Policisë, por “Prishtina Parking” do të jetë asistent i inspeksionit edhe i Policisë, edhe për me i blloku veturat edhe me i konfiskuar veturat”, tha Braha për EO.
Gjykata Supreme e ka shpallë pjesërisht të paligjshme Rregulloren e Komunës së Prishtinës për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës me datën 8 maj të 2025./ Periskopi/











