Nxehtësia ekstreme: Rreziku i madh fshihet brenda ambienteve të mbyllura

Shumë njerëz e dinë se temperaturat ekstreme mund të jenë të rrezikshme, por ajo që shpesh anashkalohet është se rreziku më i madh mund të fshihet brenda ambienteve të mbyllura, sidomos nëse ndalet kondicioneri ose edhe më keq, nëse nuk keni një të tillë.
Kur sistemi i ftohjes nuk funksionon, ambientet mund të kthehen në “sera”, ku nxehtësia hyn përmes dritareve dhe mureve, ndërsa ajri i nxehtë mbetet i bllokuar brenda.
Në vetëm pak orë, temperatura në ambiente të mbyllura mund të kalojë ndjeshëm atë jashtë, veçanërisht në katet e sipërme dhe në ambientet me ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj diellit.
Studimet tregojnë se shumica e vdekjeve nga nxehtësia ekstreme ndodhin brenda ndërtesave.
Ekspertët shpjegojnë se trupi i njeriut përpiqet të ftohet përmes djersitjes dhe qarkullimit të gjakut në lëkurë, por kur temperatura dhe lagështia janë të larta, ky mekanizëm dobësohet.
Nëse temperatura e trupit kalon rreth 40 gradë Celsius, funksionet e tij fillojnë të dështojnë, ndërsa temperaturat mbi 42 gradë mund të jenë fatale, raporton The Independent, transmeton Periskopi.
Një problem i madh është se ambientet nuk reagojnë njësoj ndaj nxehtësisë. Ndërtesat e reja me izolim të mirë mund ta mbajnë freskinë më gjatë, ndërsa ato me izolim të dobët dhe dritare të thjeshta mund të nxehen shumë shpejt.
Një studim i kryer në ShBA, analizoi qindra mijëra ambiente dhe simuloi skenarë me valë të nxehti dhe ndërprerje të energjisë. Rezultatet treguan se një pjesë e konsiderueshme e ndërtesave mund të arrijnë temperatura të rrezikshme për jetën, jo vetëm për të moshuarit, por edhe për të rriturit e rinj dhe të shëndetshëm.
Për të ulur rrezikun gjatë valëve të nxehtësisë, ekspertët rekomandojnë qëndrimin në katet më të ulëta të ndërtesave, mbylljen e perdeve gjatë orëve me diell dhe konsumimin e vazhdueshëm të ujit.
Ekspertët paralajmërojnë se me rritjen e temperaturave globale, ndërtesat duhet të projektohen jo vetëm për të kursyer energji, por edhe për të mbrojtur jetën e banorëve gjatë valëve ekstreme të të nxehtit./ Periskopi/











