Koordinatorja për Zgjedhje takon ud. e Kryprokurorit për bilancin e 7 qershorit: 5 persona të ndaluar dhe 17 vepra me elemente penale

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetiti, Agron Qalaj, është takuar sot me Koordinatoren Kombëtare për Zgjedhje, prokuroren Laura Pula ku kanë diskutuar rreth ditës së zgjedhjeve dhe incidenteve të ndodhura.
Sipas një njoftimi për media Qalaj theksoi se toleranca zero ndaj çdo përpjekjeje për cenimin e vullnetit të qytetarëve dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo dyshimi për parregullsi kanë dëshmuar vendosmërinë e Prokurorit të Shtetit për të mbrojtur ligjshmërinë, integritetin e zgjedhjeve dhe të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të votuar lirshëm.
Koordinatorja Pula, e ka informuar Qalajn se gjatë ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe, pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm shtatëmbëdhjetë prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtës së votimit.
“Nga të gjitha këto raste, po atë ditë janë ndaluar pesë persona, ndërsa dymbëdhjetë persona janë liruar në procedurë të rregullt”, thekson komunikata.
Po ashtu, prokurorja Pula informoi se është duke monitoruar trajtimin e këtyre rasteve nëpër prokuroritë themelore dhe se, deri më tani të gjitha rastet janë duke vazhduar në procedurë të rregullt.











