Huduti reagon pas shpalljes “non-grata” në Shqipëri: Kam humbur frikën nga zullumqarët

Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë për ta shpallur “person të padëshiruar” për një periudhë 15-vjeçare, Igballe Huduti (Berisha) ka reaguar me një mesazh të gjatë publik.
Ajo u shpreh se nuk ndjen humbje nga ky vendim, duke theksuar se, sipas saj, ka kohë që është përballur me padrejtësi dhe se nuk i frikësohet më asnjë presioni.
“Paqe për ty Vëlla. Po e di, vëlla i nderuar, e lexova këtë shkrim. S’kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to. Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m’i ka falur”, ka shkruar ajo ndër të tjera.
Në reagimin e saj, Huduti ka përmendur edhe motive fetare dhe simbolike, duke thënë se qëndrimet e saj lidhen me bindje personale dhe mision jetësor.
“Jeta ime nuk do të kishte vlerë në këtë vend të shqiptarisë nëse unë nuk e kryej misionin tim, që ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë”, ka shtuar ajo.
Postimi i plotë:
Një përgjigjje jo për Ministrin Llamallari por për një vëlla të shqetësuar që më dërgoji këtë lajm në what’s app.
Paqe për ty Vëlla.
Po e di, vëlla i nderuar, e lexova këtë shkrim. S’kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to.
Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m’i ka falur.
Kam “humbur” nga kjo botë e “bukur” çdo të mirë, që nga dita kur e ngrita zërin kundër padrejtësisë në emër të lirisë humane dhe njerëzillëkut. U shkurorëzova nga kjo botë që nga dita kur e lexova poemën “Qerbelaja” të Naim Frashërit.
Jeta ime nuk do të kishte vlerë në këtë vend të shqiptarisë nëse unë nuk e kryej misionin tim, që ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë.
Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët.
Më e mirë për mua është një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime.
Të kam në dua, vëlla, edhe ju më keni në dua në këtë ditë të Ashuras. Kam nevojë për lutjet e secilit që dëgjon për padrejtësitë që më bëhen në këtë jetë.











