AGK e dënon pengimin e punës së ekipit të TV Dukagjini në Gjilan: Drejtësia të bëjë punën e saj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin ndaj ekipit të TV Dukagjinit, duke e konsideruar atë pengim me forcë të ushtrimit të punës profesionale dhe sulm ndaj lirisë së medias në vend.
AGK u bëri thirrje organeve të sigurisë që të marrin masa, si dhe Komunës së Gjilanit të distancohet nga ky veprim.
Postimi i plotë:
AGK-ja e dënon pengimin e punës së ekipit të TV Dukagjini në Gjilan
Gazetarja Blerta Zuka dhe kameramani Enkelej Shaljani janë sulmuar sot gjatë raportimit të tyre në Gjilan. Incidenti ka ndodhur derisa ekipi i TV Dukagjini po realizonte një kronikë për punimet në sheshin e këtij qyteti. Një punonjës i kompanisë që po kryen punimet e ka shtyrë fizikisht ekipin dhe e ka pamundësuar vazhdimin e punës.
AGK-ja e dënon fuqishëm këtë sulm dhe e konsideron atë pengim me forcë të ushtrimit të punës profesionale dhe sulm ndaj lirisë së medias në vend.
AGK-ja e fton Komunën e Gjilanit, e cila është përgjegjëse për punimet, që të distancohet nga ky veprim, si dhe organet e sigurisë e drejtësisë që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë të shpejtë dhe efikase për ta mbajtur përgjegjës sulmuesin.
Gazetarët duhet të lihen të lirë për ta kryer punën e tyre në interes të publikut.











