S’ka të dhëna për adresën e të akuzuarit, ndërpritet seanca ku Muharrem Ibraj akuzohet për vrasje, keqtrajtim e dhunim gjatë luftës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten u ndërpre seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte në fshatin Osek Hykë të Komunës së Gjakovës, Muharrem Ibraj. Gjykata konstatoi se nuk kanë pranuar informacion lidhur me vendbanimin dhe vendqëndrimin e të akuzuarit.
Në fillim të seancës, prokurori Armend Zenelaj deklaroi se janë plotësuar kushtet ligjore për gjykim në mungesë, duke theksuar se Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet formale të parapara me ligj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Prokuroria para ngritjes të aktakuzës ndaj të akuzuarit Muharrem Ibraj i ka marrë gjitha veprimet e nevojshme pas së cilave lejohet ngritja e aktakuzës ndaj të pandehurit edhe në rastin kur ai mungon”, tha Zenelaj.
Prokurori Zenelaj shtoi se janë ndërmarrë veprimet procedurale të parapara me nenin 172 për thirrjen dhe nenin 173 për urdhërarrestin, për të cilat është bërë kërkesë pranë Gjykatës.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra bëri të ditur se Gjykata ka përmbushur detyrimet procedurale duke publikuar ftesën dhe aktakuzën në faqen zyrtare të Gjykatës Themelore në Prishtinë konform rregullave në fuqi.
Gjyqtarja sqaroi se duke marrë parasysh rëndësinë e informimit të të pandehurit Ibraj, Gjykata kishte paraqitur urdhëresë për verifikimin e adresës, vendbanimit dhe vendqëndrimit të tij, me qëllim që ky njoftim të bëhej edhe në mënyrë publike, duke iu referuar kështu edhe udhëzimeve të Gjykatës së Apelit
Ajo tha se përkundër këtyre masave, Gjykata nuk ka pranuar asnjë të dhënë lidhur me vendbanimin apo vendqëndrimin e të akuzuarit.
“Në mungesë të këtyre veprimeve nuk kemi kushte me procedu me tutje”, deklaroi Namani-Hajra.
Andaj, në këto rrethana shqyrtimi i sotëm u ndërpre.
Prezent në sallë ishin prokurori Armend Zenelaj, mbrojtësja e të akuzuarit Ibraj, avokatja Sabrie Jashari, e caktuar sipas detyres zyrtare, si dhe përfaqësuesja e viktimave, Drita Smakiqi.
Seanca fillestare u mbajt më 3 dhjetor 2025. Ky gjykim po zhvillohet në mungesë.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 mars 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Muharrem Ibrajt, të cilin e ngarkon për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës. Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ngarkon Ibrajn për vrasje të një civili, keqtrajtim të të tjerëve, si dhe dhunimin e një viktime bashkë me babanë dhe vëllanë e tij.
Në pikën e parë të aktakuzës, thuhet se më 28 shkurt 1998 rreth orës 14:30 në fshatin Osek Hylë, Komuna e Gjakovës, i pandehuri Muharrem Ibraj me dashje, i armatosur, i uniformuar në uniformë policore dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, ka marrë pjesë direkte në vrasjen dhe keqtrajtimin e qytetarëve civilë të nacionalitetit shqiptar që nuk ishin të përfshirë në luftë.
Aty thuhet se Ibraj, bashkë me forca të mëdha policore serbe rrethuan shtëpinë e viktimës S.B dhe pasi futen brenda në shtëpi, i pandehuri Ibraj i kërcënon dhe i fyen të pranishmit me fjalë të ndryshme dhe në ato momente e godet me shuplakë të dëmtuarin Q.C., dhe pasi ndërhyn viktima S.B., e urdhëron të dalë nga dhoma.
Po ashtu, sipas aktakuzës, derisa viktima ishte duke dalë jashtë, i pandehuri në prezencë të familjarëve dhe të afërmve të viktimës që ishin prezent aty, shtie disa herë në drejtim të viktimës me një pushkë automatike të llojit AK-47, ku në ato momente viktima S.B ndërron jetë si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.
Dhe më pas, sipas aktakuzës, burrat e tjerë që ishin prezent u nxorën jashtë nga forcat policore, u rrahën dhe u transportuan në stacionin e policisë ku edhe më tej i sulmuan fizikisht dhe i morën në pyetje me pretekstin se ishin pjesëmarrës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe pastaj i liruan.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 10 nëntor 1998, në fshatin Osek Hylë, Komuna e Gjakovës, i pandehuri Ibraj në bashkëkryerje me babanë e tij dhe vëllanë e tij, të armatosur, të uniformuar në uniformë policore, duke përdorur forcën e detyrojnë të dëmtuarën NN që të kryejë marrëdhënie seksuale me ta pa pëlqimin e saj. Aty thuhet se pandehuri Ibraj bashkë me të lartcekurit e kanë ndaluar viktimën NN posa ka zbritur nga autobusi, dhe në ato momente me forcë dhe nën kërcënimin e armëve e kanë detyruar që të shkojë me ta tek mulliri i grurit, ku e dhunojnë me radhë, duke filluar nga babai i të akuzuarit, vëllai dhe pas tij vetë i pandehuri Ibraj, ku si pasojë e dëmtuara e humb vetëdijen.
Sipas aktakuzës, pasi i kthehet vetëdija, viktima NN e sheh vëllanë e të pandehurit me një cigare të ndezur në dorë, duke ia djegur dorën dhe krahun asaj, me qëllim që t’ia kthejë vetëdijen dhe që ajo edhe në të ardhmen t’i kujtojë këto ndodhi dhe në fund babai i të pandehurit i kishte thënë të dëmtuarës NN që të vishej dhe të shkojë në shtëpi duke e kërcënuar se nëse do i tregonte dikujt për këtë ngjarje do t’ia vrasin gjithë familjen.
Prandaj për këto veprime, Muharrem Ibraj po ngarkohet me veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ‘’LP i RSFJ-së’’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
Ndaj Ibrajt, PSRK ka propozuar që gjykimi të zhvilohet në mungesë pasi që i njëjti nuk ka qenë i arritshëm dhe se gjendet në arrati.
Kujtojmë se Muharrem Ibraj është në mesin e 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës. Aktakuza e këtij rasti u ngrit në dhjetor të vitit 2023./BetimipërDrejtësi/











