Shokuese: Veturat janë më të pista se WC’të?

Edhe pse kabina e një automjeti mund të duket e pastër, apo relativisht e pastër, më e rëndësishmja është ajo që nuk shihet me sy. Është kjo një botë bakteresh, disa prej të cilave mund t’ju dërgojnë te mjeku.
Kompania Scrap Car Comparison ka kryer një analizë në Britani, pjesë e së cilës ishte marrja e mostrave nga dy WC dhe nga pesë automjete. Rezultoi se secili nga automjetet e testuara përmbante baktere fekale.
Për habi, përqendrimi më i lartë i baktereve fekale u gjet në bagazh, ku shpesh transportojmë ushqim, të cilin pastaj e vendosim në kuzhinë. Bakteret fekale ka pasur në masë të konsiderueshme në ulësen e shoferit, gjë që është pak më e habitshme.
Vendet më të pista në veturë janë bagazhi, që u radhit i pari, sepse aty u gjetën 1425 baktere, i dyti doli ulësja e shoferit (649 baktere), e treta dorëza e ndërruesit të shpejtësive (407 baktere), ulësja e pasme ishte e katërta (323 baktere) dhe tabela e instrumenteve e pesta (317 baktere).
Një nga pjesët më të pastra në veturë doli të jetë timoni, gjë që është befasuese sepse shoferët i mbajnë duart vazhdimisht aty. Shkencëtarët besojnë se kjo mund të shpjegohet me rritjen e përdorimit të dezinfektuesve të duarve gjatë pandemisë së koronavirusit.
Interesant është se secila veturë përmbante sasi dukshëm më të lartë të baktereve se sa çdo WC i mostrës.
Autori i studimit, Dr. Jonathan Cox, shpjegon:
“Veturat e analizuara ishin shumë të kontaminuara, jo vetëm me bakteret që do të prisnim në një automjet, si Staphylococcus epidermidis (një lloj mikrobi i lëkurës që gjendet në duar), por gjetëm edhe Escherichia coli në disa pjesë të veturës, e cila është një lloj bakterie fekale, që mund të shkaktojë helmim nga ushqimi, diarre dhe të vjella nëse gëlltitet në sasi të konsiderueshme”.











