‘Kinezi’ që i ka të gjitha

Nëse jeni duke kërkuar për një veturë me dizajn të çuditshëm dhe pajisje edhe më të çuditshme, ekziton një i tillë dhe quhet BYD Yuan Plus. Vërtetë, vetura fillimisht duket e zakonshme, por sapo ta shikoni kabinën gjithçka do të jetë e qartë. Në fakt, Yuan duket një crossover modern nga jashtë, sepse me vija të rrumbullakësuara dhe me përmasa të zakonshme ky SUV elektrik nuk bije në sy.
Por në kabinë përshtypja është krejt tjetër. Përveç vollanit dhe tabelës digjitale, gati gjithçka tjetër është jokonvencionale. Vetura ka një ekran qendror touch dhe pajisje të bollshme, përfshirë mbushësin me valë, dhe shumçka tjetër që mund t’iu habisë.
Dizajni është frymëzuar nga fitnesi, kështu që nuk ka sipërfaqe të rrafshta. Maska e përparme është e frymëzuar nga anatomia e muskujve, hapjet e ventilimit duken si pasha, ndërsa dorezat e dyerve si pajisje fitnesi.
Kapitulli më i çmendur është muzika. Të gjitha dyert e veturës i kanë nga tri “fije” të kuqe në pjesën e brendshme të veshjes, dhe secila krijon tone si të kitarës. As kjo nuk është e tëra, sepse vetura poseodn edhe një set për karaoke me mikrofon. Pra, s’keni parë asgjë më të çmendur se kjo në pajisjet standarde të një veture.
Përndryshe, vetura ka 204 KF, që sigurohen nga motori elektrik i montuar përpara. 100 km/h i arrinë për 7.3 sekonda, dhe varësisht nga bateritë qarkullon lirshëm mes 430 dhe 510 km.











