Starmer jep lamtumirën para deputetëve: “Ky është fundi i rrugëtimit tim politik”

Kryeministri britanik, Keir Starmer deklaroi se “ky është fundi i rrugëtimit tim politik”, teksa mbajti fjalimin e tij nga foltorja në seancën e fundit të pyetjeve për kryeministrin, në një atmosferë emocionale.
Kryeministri e nisi fjalimin duke bërë homazhe për ish-politikanen e vrarë Ann Widdecombe, duke thënë se ishte “vërtet i tronditur” nga vdekja e saj, ndërsa liderja e konservatorëve, Kemi Badenoch, e përshkroi ish-deputeten konservatore si “një grua me parime të larta”.
Badenoch premtoi se do të ishte më e butë me Starmerin sesa ai kishte qenë me Boris Johnsonin gjatë seancës së tij të fundit. Sipas BBC-së, mes dy liderëve mbizotëroi “një ton pajtues dhe njerëzor”, transmeton Periskopi.
Nga ana e tij, Starmer e falënderoi Badenoch për mbështetjen që i kishte dhënë pas sulmit me zjarrvënie ndaj shtëpisë së familjes së tij, si dhe pas vdekjes së vëllait të tij.
Në këmbim, Badenoch e vlerësoi Starmerin për ftesën që i bëri presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të vizituar Downing Street, pas përplasjes së tij të ashpër me presidentin amerikan Donald Trump.
Përtej diskutimeve të zakonshme në seancën e fundit, pati edhe momente me humor, përfshirë shaka rreth futbollit. Megjithatë, Starmer shmangu një pyetje nëse do të shpallte një ditë pushimi kombëtar në rast se Anglia fiton Kupën e Botës.
Nuk munguan as momentet gazmore, si kur Starmer u tha votuesve në zgjedhjet e pjesshme në Clacton që “ta hedhin votën në kosh”, një referencë humoristike ndaj kandidatit Count Binface (bin = kosh).
Ndërsa ministrja e Financave, Rachel Reeves, dhe anëtarë të ekipit të tij politik fshinin lotët, Starmer e mbylli fjalimin me fjalët: “Për gruan dhe fëmijët e mi, ju dua. Mirupafshim”./ Periskopi/











