Scaloni trondit para Anglisë: Ndryshon skemën dhe rikthen “ogurin” e fanellës blu për gjysmëfinalen

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka vendosur të ndërmarrë një lëvizje drastike në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës kundër Anglisë, e cila zhvillohet mbrëmjen e së mërkurës në stadiumin “Mercedes-Benz” në Atlanta.
Argjentina ndodhet vetëm një fitore larg finales së dytë radhazi të Kupës së Botës dhe synon t’i sigurojë “La Albicelestes” yllin e katërt në histori.
Kampionët në fuqi kanë mbërritur deri në këtë fazë pasi fituan pas kohës shtesë ndaj Kepit të Gjelbër dhe Zvicrës në fazën me eliminim direkt, ndërsa në 1/8 e finales përmbysën Egjiptin duke shënuar tre gola brenda vetëm 13 minutave.
Tani përballë i pret testi më i vështirë deri më tani, Anglia, dhe sipas raportimeve, Scaloni po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e lojës për këtë sfidë.
Deri më tani, Argjentina është mbështetur kryesisht te momentet individuale të Lionel Messit, golashënuesit më të mirë në historinë e Kupës së Botës.
Në moshën 39-vjeçare dhe në Botërorin e tij të gjashtë, Messi ka realizuar tetë gola në atë që pritet të jetë turneu i tij i fundit. Ndërkohë, Enzo Fernandez dhe Julian Alvarez kanë qenë vendimtarë në momente të rëndësishme, edhe pse paraqitjet e skuadrës argjentinase nuk kanë qenë gjithmonë bindëse.
Sipas gazetës argjentinase “Diario Olé”, Scaloni pritet të bëjë ndryshime në formacionin titullar. Raportohet se ai ka testuar dy skema të reja gjatë stërvitjeve dhe po shqyrton një qasje ndryshe për sfidën ndaj Anglisë.
Me një moshë mesatare prej 29 vitesh, Argjentina po i afrohet fundit të një cikli. Për shkak të mungesës së anësorëve ofensivë, Scaloni ka zgjedhur të mbështetet te katër mesfushorë qendrorë: Enzo Fernandez, Rodrigo De Paul, Alexis Mac Allister dhe Leandro Paredes.
Kjo katërshe punon vazhdimisht për t’i krijuar Messit lirinë e nevojshme për të lëvizur në çdo zonë të fushës dhe për të ndikuar në lojë. Edhe pse ka ecur në 47 për qind të distancës totale që ka përshkuar në këtë Botëror, legjenda e Barcelonës mbetet futbollisti me më shumë gola në turne.
Në sulm, Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez kanë luajtur së bashku në skemën 4-4-2, por aktivizimi nga minuta e parë i Giuliano Simeones ose Thiago Almadës mund t’i japë ekipit një dimension të ri ofensiv.
Alternativa të tjera që Scaloni po shqyrton për formacionin janë Nico Paz, Nico Gonzalez dhe Valentin Barco.
Përballja mes Argjentinës dhe Anglisë mbetet një nga rivalitetet më të forta në futboll, e ushqyer edhe nga historia dhe tensionet që pasuan Luftën e Falklandit.
Anglia fitoi duelin e fundit mes dy kombëtareve me rezultatin 3-2 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në vitin 2005, ndërsa kishte triumfuar edhe në përballjen e Kupës së Botës në vitin 2002.
Interesant është fakti se dy humbjet e Argjentinës ndaj Anglisë në Kupën e Botës kanë ardhur kur “La Albiceleste” ka luajtur me fanellën tradicionale bardhekaltër.
Nga ana tjetër, dy fitoret ndaj anglezëve janë arritur me fanellën blu të errët – në vitin 1986, me golin legjendar “Dora e Zotit” të Diego Maradonës, dhe në vitin 1998, kur David Beckham u ndëshkua me karton të kuq pas incidentit me Diego Simeonen.
Duke u mbështetur te ky “ogur” pozitiv, Federata Argjentinase i ka kërkuar FIFA-s leje që skuadra të luajë me fanellën mysafire në këtë gjysmëfinale, kërkesë që është miratuar. Anglia, ndërkohë, do të zbresë në fushë e veshur tërësisht me fanellat e bardha.
I pyetur për këtë besëtytni, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, u shpreh me humor dhe mirëkuptim.
“Nëse do të kisha një besëtytni të tillë, do të bëja të njëjtën gjë, ndaj u jap merita Argjentinës. Nuk e dija këtë. Edhe unë kam rutinat e mia supersticioze. Mund t’i quani besëtytni ose thjesht rutina, por nuk do t’jua tregoj, sepse nëse i tregoj, nuk do të funksionojnë. Kemi disa rutina që na mbajnë të qetë dhe të përqendruar gjatë ditës dhe ato nuk do të ndryshojnë. Këto gjëra janë krejt normale në sportin e nivelit më të lartë”, deklaroi Tuchel.











