Skandali me naftën: Çka deklaruan të dyshuarit dhe avokatët në seancën për paraburgim?

Gjykata Speciale ka mbajtur seancën dëgjimore ndaj të dyshuarve të përfshirë në rastin e importit të naftës, nën dyshimet për kontrabandë dhe krim të organizuar. Prokurorja e rastit, Arbëresha Raqa-Shala, ka kërkuar masën e paraburgimit, ndërsa mbrojtja e të gjithë të pandehurve e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke pretenduar shkelje procedurale të afateve 48-orëshe dhe mungesë të provave konkrete.
Avokatët kanë kërkuar lirimin e klientëve të tyre ose caktimin e masave më të buta, përfshirë dorëzaninë financiare.
Faruk Mazrek: “Nëse kam shitur ujë në vend të naftës, më dënoni sa të doni”
Mbrojtësi i tij, avokati Forti Skoro, pretendoi se afati ligjor i ndalimit prej 48 orësh kishte kaluar, duke e bërë seancën të jashtëligjshme. Sipas tij, PSRK nuk ka ofruar asnjë provë që e lidh klientin e tij me veprat e pretenduara.
Vetë i dyshuari, Faruk Mazrek, kërkoi lirimin duke u arsyetuar se menaxhon biznes dhe ka obligime të mëdha kreditore ndaj bankave. Ai mohoi kategorikisht përfshirjen në krim:
“Prokuroria nuk ka asnjë provë për mua… Të gjithë këta që janë në sallë le të ngrihet një dhe të thotë se ka marrë ndonjë faturë nga unë që nuk ka pasur mbulesë, apo ka marrë ndonjë cisternë me ujë dhe e kanë shitur në vend të naftës – unë kam me thënë shqiptoma dënimin sa të duash ti.” Mazrek shtoi se nuk do t’i shmanget drejtësisë dhe do t’i përgjigjet çdo ftese.
Fariz Mazrek: “Jam prind i tre fëmijëve, nga biznesi im varen pesë familje”
Avokati i tij, Visar Hoxha, u fokusuar te pretendimi i Prokurorisë se autobotet e naftës nga Shqipëria mbusheshin pjesërisht me ujë për shmangie doganore. Hoxha theksoi se nuk ka asnjë fakt që vërteton se klienti i tij ka modifikuar cisterna, ka bërë deklarime të rreme apo ka urdhëruar punëtorët për diçka të tillë.
Në fund të seancës, vetë i pandehuri Fariz Mazrek kërkoi lirimin nga paraburgimi për arsye familjare dhe ekonomike:
“Jam prind i tre fëmijëve të mitur – të vegjël kanë nevojë për prind, dhe pesë persona janë të punësuar në biznesin tim, të cilët janë të varur nga ky biznes i imi. Kërkoj të më lironi, do t’i përgjigjem çdo ftese të organeve të drejtësisë.”
Dashnim Miftari: “Kemi paguar doganë e akcizë, nuk ka logjikë të shesim në të zezë”
Avokati Florent Latifaj deklaroi se pretendimet e Prokurorisë Speciale nuk kanë asnjë logjikë ekonomike apo ligjore. Ai sqaroi se klienti i tij ka paguar rregullisht të gjitha detyrimet shtetërore – përfshirë doganën, TVSH-në dhe akcizën për naftën – andaj nuk ka kuptim që pas gjithë këtyre shpenzimeve zyrtare të bëhet shitje në tregun e zi.
I pandehuri Dashnim Miftari deklaroi shkurtimisht para gjykatës se pajtohet plotësisht me fjalën e avokatit të tij dhe nuk kishte diçka shtesë për të deklaruar.
Skender Kelmendi: “Çdo litër karburant është i faturuar dhe i kontrolluar nga ATK-ja”
Mbrojtësi i tij, avokati i njohur Arianit Koci, theksoi se kërkesa e Prokurorisë është me mangësi të theksuara dhe mbetet tërësisht e paqartë se cilat kanë qenë veprimet konkrete inkriminuese të klientit të tij.
Vetë i pandehuri Kelmendi u mbrojt duke thënë se posedon një pikë të karburanteve dhe se i gjithë aktiviteti i tij biznesor është transparent: “Çdo veprim i imi është i faturuar dhe i kontrolluar në vazhdimësi nga ATK-ja”.
Nisret Bajraktari: Ofrohen 30 mijë euro dorëzani dhe dorëzimi i pasaportës
Avokati Yll Zekaj deklaroi se kërkesa e PSRK-së nuk i përmbush kushtet e Kodit të Procedurës Penale. Ai rrëzoi pretendimin për rrezikun e përsëritjes së veprës, duke argumentuar se Bajraktari nuk ka pasur kurrë të kaluar kriminale.
Për të eliminuar rrezikun e ikjes, mbrojtja i ofroi gjykatës dorëzimin e menjëhershëm të pasaportës së të pandehurit dhe një dorëzani financiare prej 30 mijë eurosh në këmbim të lirisë.
Adem Morina: Propozohet dorëzani prej 50 mijë eurosh për shkak të moshës
Avokati Naim Spahiu e quajti kërkesën e prokurorisë joproporcionale dhe të pabazuar në prova konkrete. Ai potencoi se nuk ekziston asnjë provë që e lidh klientin e tij me veprën e rëndë të “Pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar”.
Duke pasur parasysh moshën e thyer të të pandehurit, avokati Spahiu kërkoi mbrojtjen në liri, duke ofruar si garanci një dorëzani të lartë prej 50 mijë eurosh. I pandehuri Adem Morina mbështeti plotësisht deklaratën e avokatit të tij.
Muhamet Mazrek: Shkelje e të drejtave, nuk iu siguruan dokumentet në gjuhën turke
Avokati Durim Nevzati ngriti një shkelje të rëndë procedurale, duke bërë të ditur se klientit të tij nuk i janë siguruar shkresat e lëndës në gjuhën që ai e kupton, duke qenë se i përket nacionalitetit turk.
Mbrojtja shtoi se prokuroria ka dështuar të specifikojë veprimet e tij individuale. I pandehuri Mazrek mbështeti qëndrimin e avokatit të tij.











