Apeli ia zbut dënimin nga 2 në 1 vit burgim Dejan Pantiqit për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së, vërtetohet pjesa tjetër e vendimit

Apeli ia zbut dënimin nga 2 në 1 vit burgim Dejan Pantiqit për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së, vërtetohet pjesa tjetër e vendimit

Gjykata e Apelit ka marrë vendim përmes të cilit ia ka zbutur dënimin Dejan Pantiqit nga 2 në 1 vit burgim lidhur me akuzën për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të 2022-ës.

Kurse, vërtetoi pjesën tjetër të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin Milun Milenkoviq dhe Aleksandër Vllajiq u dënuan me nga 5 vjet burgim, kurse Miomir Vakiq u lirua nga akuza.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2025 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq dhe Aleksander Vlajiq. Pantiq u dënua me 2 vjet burgim, Milenkoviq dhe Vllajiq me nga 5 vjet burgim, kurse Miomir Vakiq u lirua nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Periskopi.

Kujtojmë se Vllajiq më 5 qershor 2026 nga Gjykata Themelore në Prishtinë është shpallur fajtor edhe për veprën penale të spiunazhit, duke u dënuar me 5 vjet burgim pasi kishte pranuar se ishte agjent i BIA-s.

Lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, Apeli kishte mbajtur seancë për të dëgjuar pretendimet ankimore të palëve më 28 prill 2026.

Vendimi i shkallës së dytë del të jetë marrë nga trupi gjykues me këtë përbërje: Ferit Osmani- kryetar i kolegjit, Albina Shabani-Rama dhe Avni Mehmeti- anëtarë.

Gjetjet e Apelit në raport me të akuzuarin Milun Milenkoviq:

Sipas vendimit të Apelit, në raport me ankesën e mbrojtësit të Milenkoviq, Gjykata ka gjetur se në dispozitiv të vendimit nuk kërkohet që shprehimisht të theksohet forma e fajësisë, por mjafton që të përmbajë përshkrim të qartë të veprës penale dhe të gjitha faktet dhe rrethanat.

E që në rastin konkret, forma e fajësisë sipas Apelit, nuk përcaktohet në mënyrë formale vetëm nga përdorimi i termave “dashje e drejtpërdrejtë” apo “dashje eventuale”, por nxirret nga përshkrimi faktik i veprimeve të të akuzuarit, mënyra e realizimit të tyre, sjellja e tij para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës, si dhe nga tërësia e provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Sipas Apelit, provat e administruara gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në shkallë të parë nuk qëndrojnë të shkëputura nga njëra-tjetra, por krijojnë një zinxhir të pandërprerë provues.

Kështu, sipas Apelit, nga ndërlidhja e tyre rezulton se i akuzuari Milun Milenkoviq ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet vendimtare të zhvillimit të ngjarjes: në fazën e grumbullimit të grupit, në momentin e eskalimit pranë automjetit të emergjencës dhe më pas gjatë lëvizjes së koordinuar drejt objektit që u sulmua.

Apeli në vendim ka theksuar se si Gjykatë i pranon në tërësi si të drejta dhe të bazuara gjetjet e Themelores, është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se i akuzuari Milenkoviq nuk ka qenë vetëm i pranishëm në vendin e ngjarjes, por ka marrë pjesë aktivisht në realizimin e sulmit të organizuar ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Tutje, Apelit e ka gjetur të pabazuar pretendimin se fajësia e të akuzuarit Milenkoviq nuk është e mbështetur në asnjë provë materiale apo personale, pasi që bazuar në provat e lëndës të njëjtat krijojnë një zinxhir logjik dhe të pandërprerë provues që çon në përfundim se i akuzuari Milun Milenkoviq ka marrë pjesë në kryerjen e veprës terroriste.

Gjetjet e Apelit në raport me të akuzuarin Alesandër Vllajiq:

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar në mënyrë bindëse praninë e të akuzuarit Vllajiq në vendngjarje më 6 dhjetor 2022 në bashkëkryerje me të akuzuarin në këtë çështje penale Milenkoviq dhe të dyshuarit tjerë në arrati.

Më tej, thuhet se gjykata e shkallës së parë ka ndërtuar një gjendje faktike të qëndrueshme, të qartë dhe të mbështetur në prova të ndërsjella, të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën dhe e përjashtojnë çdo dyshim të arsyeshëm për pasivitetin ose rastësinë e pranisë së të akuzuarit Vllajiq.

Në vendim thuhet se nga të gjitha provat del se Aleksandar Vllajiq ka qenë i pranishëm në vendngjarje, ka vëzhguar, ka fotografuar, ka komunikuar me telefon në momentin vendimtar të ardhjes së policisë dhe të zyrtarëve zgjedhorë, si dhe ka ndihmuar në mobilizimin e mëtejshëm të turmës.


Prandaj, sipas Apelit gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë, të plotë dhe të besueshme, ndërsa pretendimet e mbrojtjes nuk e rrëzojnë as në aspektin faktik e as në atë logjik e juridik konkluzionin e arritur nga gjykata e shkallës së parë.

Gjetjet e Apelit në raport me të akuzuarin, Dejan Pantiq:

Në vendim, Apeli ka theksuar se ka gjetur të bazuar pjesërisht ankesën e Pantiq vetëm sa i përket lartësisë së dënimit.

Fillimisht, sipas vendimit, lidhur me shpalljen fajtor të Pantiqit, gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike lidhur me të akuzuarin, duke bërë një analizë të gjithanshme të provave personale dhe materiale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Më tej, thuhet e shkalla e parë me të drejtë ka bërë ricilësim të veprës penale duke e shpall fajtor për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Sipas Apelit, me rastin e matjes së dënimit, shkalla e parë nuk ka marrë parasysh rrethanat personale të të akuzuarit Pantiq, sjelljen e tij gjatë procedurës, mungesën e dënimeve të mëparshme penale dhe nivelin e ulët të rrëzikshmërisë së tij shoqërore.

Andaj, sipas Apelit në këtë drejtim dënimi prej 1 viti është adekuat dhe pasqyron shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit Pantiq, rrethanat lehtësuese të rastit dhe qëllimet e dënimit të përcaktuara me ligj.

Gjetjet e Apelit në raport me ankesën e PSRK-së:

Në vendim thuhet se pretendimet e Prokurorisë Speciale nuk qëndrojnë për arsye se gjykata e shkallës së parë ka bërë vlerësim të drejtë dhe të plotë të provave të administruara në këtë çështje penale, ka arritur në përfundime të sakta faktike, si dhe ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm, të qartë dhe të ligjshëm për secilin të akuzuar veç e veç.

Më tej, sipas Apelit është vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar brenda kufijve të diskrecionit të saj ligjor në individualizimin e sanksionit penal, duke marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese, shkallën e përgjegjësisë penale, natyrën e veprës dhe pasojat e saj.

Sipas Apelit, dënimet e shqiptuara nuk paraqiten si të paligjshme apo arbitrare dhe se nuk ka shkelje të parimit të proporcionalitetit.

Gjithashtu, Apeli e gjen si të pabazuar pretendimin e Prokurorisë ndaj Pantiq, duke theksuar në vendim se shkallës së parë me të drejtë ka veçuar pjesëmarrjen e tij në turmë nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në sulmin terrorist, duke konstatuar se për veprën e përshkruar në aktakuzë nuk është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ndërlidhja e tij konkrete me hedhjen e mjeteve shpërthyese apo me realizimin e aktit terrorist.

Gjetjet e Apelit në raport me të akuzuarin, Miomir Vakiq:

Sipas Apelit, edhe pretendimet ankimore lidhur me të akuzuarin Miomir Vakiq nuk qëndrojnë. Apeli gjen se Themelorja ka dhënë arsye të qarta pse ka ardhur në përfundimin lirues, duke konstatuar mungesë të provave të mjaftueshme që do ta lidhin në mënyrë të sigurt dhe të drejtpërdrejtë këtë të akuzuar me veprimet inkriminuese.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 janar 2024, të akuzuarit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihet në barrë.

Ndryshe, sipas aktit akuzues thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.

Më 13 dhjetor 2023 PSRK kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës për Pantiq dhe tre të tjerët.

Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare./Periskopi




Të ngjashme
Supremja del me vendim për ankesat e Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut për rinumërimin e votave

Supremja del me vendim për ankesat e Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut për rinumërimin e votave

Ambasada e SHBA-së: Faleminderit, Kosovë, që festuat me ne 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës

Ambasada e SHBA-së: Faleminderit, Kosovë, që festuat me ne 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës

Semedo zbulon fjalimin e CR7 në zhveshtore: Konfirmoi se ky ishte Botërori i tij i fundit

Semedo zbulon fjalimin e CR7 në zhveshtore: Konfirmoi se ky ishte Botërori i tij i fundit

SPAK arreston një person, grupi që drejtohej nga ai trafikoi mbi 2.4 ton drogë

SPAK arreston një person, grupi që drejtohej nga ai trafikoi mbi 2.4 ton drogë

Tash e 5 ditë i zhdukur, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e 78-vjeçarit

Tash e 5 ditë i zhdukur, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e 78-vjeçarit

Thellohet bashkëpunimi Maqedoni-Serbi, policia serbe do të patrullojë gjatë verës në rajonin e Ohrit

Thellohet bashkëpunimi Maqedoni-Serbi, policia serbe do të patrullojë gjatë verës në rajonin e Ohrit

Plagosi me thikë dy persona, Gjykata në Gjakovë aprovon kërkesën për paraburgim ndaj E.H

Plagosi me thikë dy persona, Gjykata në Gjakovë aprovon kërkesën për paraburgim ndaj E.H

Kurti lajmërohet nga Greqia, tregon çka foli në një panel në Simpoziumin SYMI

Kurti lajmërohet nga Greqia, tregon çka foli në një panel në Simpoziumin SYMI

Misioni në KFOR, Kroacia planifikon ta rrisë numrin e ushtarëve në 200

Misioni në KFOR, Kroacia planifikon ta rrisë numrin e ushtarëve në 200

Ngrihet aktakuzë për krime lufte në Vushtrri

Ngrihet aktakuzë për krime lufte në Vushtrri

Skandali me naftën: Çka deklaruan të dyshuarit dhe avokatët në seancën për paraburgim?

Skandali me naftën: Çka deklaruan të dyshuarit dhe avokatët në seancën për paraburgim?

Trump po konsideron t’i shesë avionë luftarakë F-35 Turqisë, Netanyahu thotë se kjo do ta prishte ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme

Trump po konsideron t’i shesë avionë luftarakë F-35 Turqisë, Netanyahu thotë se kjo do ta prishte ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme

0:000:00