Shtyhet protesta e fermerëve para Ministrisë së Bujqësisë, organizatorët: U anulua për arsye ligjore

Protesta e fermerëve të Istogut, e cila ishte paralajmëruar të mbahej sot para Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë, është shtyrë për një datë tjetër për shkak të procedurave ligjore.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Vita”, Artan Spahija, tha se protesta është anuluar për shkak se, sipas legjislacionit në fuqi, për organizimin e saj duhet të merret leje nga Policia e Kosovës të paktën 72 orë përpara mbajtjes.
“Po, është shtyrë. Do të informoheni me kohë për të. Për arsye ligjore sot jemi detyruar që ta anulojmë”, tha Spahija për Ekonomia Online, raporton Periskopi.
Protesta ishte paralajmëruar të niste në orën 11:00, ku fermerët e Istogut planifikonin të marshonin me traktorë dhe makineri të rënda drejt kryeqytetit për të protestuar para Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas njoftimit të mëhershëm të organizatorëve, protesta synonte të shprehte pakënaqësinë e fermerëve pas zhvillimeve të fundit në fabrikën për përpunimin e qumështit “Vita” dhe të kërkonte reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe adresimin e problemeve me të cilat po përballet sektori i qumështit.
Organizatorët kanë bërë të ditur se data e re e protestës do të bëhet publike me kohë./Periskopi











