Punëtorët e RTK’së pa paga, Sindikata letër Kurtit e Haxhiut: Institucionet të ndërhyjnë urgjentisht, situatë e papranueshme

Punëtorët e RTK’së pa paga, Sindikata letër Kurtit e Haxhiut: Institucionet të ndërhyjnë urgjentisht, situatë e papranueshme

Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës, i është drejtuar me një letër, u.d presidentes, Albulena Haxhiut, dhe, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar që urgjentisht të bëhet ndërhyrje institucionale lidhur me mosrealizimin e pagave të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës.


FSRTK kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me situatën e krijuar me pagat, duke thënë se, mosdhënia e pagës në afatin e paraparë ligjor nuk përbën vetëm një problem administrativ apo financiar, por është cenim i drejtpërdrejtë i një të drejte themelore të punës dhe i dinjitetit të çdo punëtori.

‘’ Kjo situatë është bërë edhe më shqetësuese për faktin se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Vetëm një muaj më parë, më 7 qershor, Federata Sindikale ishte e detyruar të organizonte protesta për të njëjtën arsye. Në atë kohë besuam se reagimi ynë do të shërbente si alarm serioz për institucionet përgjegjëse dhe se do të ndërmerreshin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate. Fatkeqësisht, sot po përballemi me të njëjtën shkelje, gjë që dëshmon mungesë përgjegjësie institucionale dhe dështim në menaxhimin e një prej obligimeve më elementare ndaj punëtorëve’’, thuhet mes tjerash në letër.

Letra e plotë:


Drejtuar

Presidentes në detyrë të Republikës së Kosovës / Kryetare në detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës Znj. Albulena Haxhiu

Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës Z. Albin Kurti

Lënda: Kërkesë urgjente për ndërhyrje institucionale lidhur me mosrealizimin e pagave të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës

E nderuara Presidente në detyrë e Republikës së Kosovës / Kryetare në detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës Znj. Albulena Haxhiu

I nderuari Kryeministër në detyrë, Z. Albin Kurti

Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si përfaqësuese legjitime e punëtorëve të transmetuesit publik, ju drejtohet me shqetësim të thellë lidhur me situatën e krijuar nga mosrealizimi i pagave të punëtorëve të RTK-së, të cilat, edhe më 9 korrik 2026, ende nuk janë ekzekutuar.

Mosdhënia e pagës në afatin e paraparë ligjor nuk përbën vetëm një problem administrativ apo financiar, por është cenim i drejtpërdrejtë i një të drejte themelore të punës dhe i dinjitetit të çdo punëtori. Paga është kompensim i fituar me punë, e garantuar me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Kjo situatë është bërë edhe më shqetësuese për faktin se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Vetëm një muaj më parë, më 7 qershor, Federata Sindikale ishte e detyruar të organizonte protesta për të njëjtën arsye. Në atë kohë besuam se reagimi ynë do të shërbente si alarm serioz për institucionet përgjegjëse dhe se do të ndërmerreshin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate. Fatkeqësisht, sot po përballemi me të njëjtën shkelje, gjë që dëshmon mungesë përgjegjësie institucionale dhe dështim në menaxhimin e një prej obligimeve më elementare ndaj punëtorëve.

Federata Sindikale konsideron se është e papranueshme që transmetuesi publik i Republikës së Kosovës të funksionojë në kushte ku punëtorët detyrohen të presin pagat e tyre pa asnjë afat të qartë, pa transparencë dhe pa asnjë komunikim zyrtar nga organet drejtuese. Kjo gjendje cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre, por dëmton edhe besimin në institucionet publike dhe rrezikon funksionimin normal të RTK-së.

Për më tepër, Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së kanë dështuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie. Mungesa e informimit publik, heshtja përballë kësaj situate dhe mosofrimi i një zgjidhjeje konkrete janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet e qeverisjes së mirë që duhet të karakterizojnë një institucion publik.

Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje që, brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe institucionale, të ndërmerrni veprimet e nevojshme për të siguruar zgjidhjen urgjente të kësaj situate dhe për të garantuar që punëtorët e RTK-së të marrin menjëherë pagat e tyre.

Njëkohësisht, kërkojmë që të sigurohet llogaridhënie institucionale për shkaqet që kanë çuar në këtë gjendje, si dhe të ndërmerren masa që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Askush nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi kur cenohen të drejtat themelore të punëtorëve dhe vihet në rrezik funksionimi i transmetuesit publik.

Ju njoftojmë se, në mungesë të një zgjidhjeje të menjëhershme, Federata Sindikale e RTK-së do të vazhdojë pa asnjë hezitim me përshkallëzimin e veprimeve sindikale dhe ndërmarrjen e procedurave ligjore pranë institucioneve kompetente. Do të përdoren të gjitha mjetet juridike dhe sindikale të garantuara me ligj për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Çdo pasojë që mund të reflektohet në funksionimin e RTK-së do të jetë përgjegjësi e plotë e Bordit dhe Menaxhmentit.

Punëtorët e RTK-së nuk do të pranojnë që vonesa e pagave të shndërrohet në praktikë të zakonshme. Ata nuk do të paguajnë çmimin e paaftësisë, neglizhencës apo keqmenaxhimit institucional. Dinjiteti i tyre nuk është i negociueshëm dhe respektimi i të drejtave të tyre nuk mund të varet nga rrethanat financiare apo administrative.

Federata Sindikale mbetet e përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim institucional, por njëkohësisht është e vendosur të mbrojë me çdo mjet ligjor interesat e punëtorëve që përfaqëson. Presim reagim dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet e Republikës së Kosovës, në përputhje me përgjegjësinë tuaj për mbrojtjen e rendit kushtetues, të ligjshmërisë dhe të drejtave të qytetarëve.

Me respekt,

Kryesia e Federatës Sindikale të Radio Televizionit të Kosovës (RTK)

Të ngjashme
Marrëveshja me Danimarkën për transferimin e të burgosurve, nis mbyllja e burgut në Gjilan

Marrëveshja me Danimarkën për transferimin e të burgosurve, nis mbyllja e burgut në Gjilan

Gruaja s’e tërhoqi frenin e dorës, Audi përfundoi në një shtëpi (VIDEO)

Gruaja s’e tërhoqi frenin e dorës, Audi përfundoi në një shtëpi (VIDEO)

Irani akuzon ShBA-në për “shkelje flagrante” të marrëveshjes së armëpushimit

Irani akuzon ShBA-në për “shkelje flagrante” të marrëveshjes së armëpushimit

FBI analizoi dheun e çizmeve me atë të vendngjarjes, Prokurori tregon për ndihmën amerikane në hetimin e sulmit në Ibër-Lepenc

FBI analizoi dheun e çizmeve me atë të vendngjarjes, Prokurori tregon për ndihmën amerikane në hetimin e sulmit në Ibër-Lepenc

Skemë e dyshuar korruptive në KEK, Noa dhe ETMT fituan 90 për qind të ankandeve për shitje të rrymës

Skemë e dyshuar korruptive në KEK, Noa dhe ETMT fituan 90 për qind të ankandeve për shitje të rrymës

Murati: Cilido vendim ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ketë ndikim në skenën politike

Murati: Cilido vendim ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ketë ndikim në skenën politike

Italia me ligj të ri, hiqet më lehtë shtetësia

Italia me ligj të ri, hiqet më lehtë shtetësia

Seanca për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, të akuzuarit dalin para gjyqit

Seanca për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, të akuzuarit dalin para gjyqit

Azemi i LVV-së në protestë, Balla: Është mik i Mujecit, janë kundër Edi Ramës se i arrestuam me 11 mijë doza drogë

Azemi i LVV-së në protestë, Balla: Është mik i Mujecit, janë kundër Edi Ramës se i arrestuam me 11 mijë doza drogë

Lëndohet në vendin e punës një person në Obiliq, rasti nën hetime

Lëndohet në vendin e punës një person në Obiliq, rasti nën hetime

Trump: Irani po kërkon marrëveshje, i goditëm fort, atyre u ka mbetur shumë pak

Trump: Irani po kërkon marrëveshje, i goditëm fort, atyre u ka mbetur shumë pak

Trotinetet ndalohen në shesh, policia në Prishtinë del me njoftim

Trotinetet ndalohen në shesh, policia në Prishtinë del me njoftim

0:000:00