OVL e UÇK e quan poshtërim të radhës vendimin e Hagës për shtyrjen e vendimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Trupi Gjykues ka caktuar datën për shqiptimin e Aktgjykimit në çështjen gjyqësore, Prokurori i Specializuar k., Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për më 16 shtator, në orën 10:00, thuhet në njoftimin e publikuar nga Gjykata Speciale.
Për këtë ka reaguar OVL-UÇK, duke thënë se shtyerja e datës së vendimit është një poshtërim publik i radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
OVL-UÇK pretendon që “ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare”.
Komunikata e plotë:
OVL UÇK, caktimin e 16 shtatorit si raundin e radhës të poshtërimit publik ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit; e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm.
Shtyrjet e njëpasnjëshme, të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia.
Asnjë kalendar gjyqësor nuk e rishkruan themelin e lirisë së Kosovës, luftën e drejtë për mbijetesë. Misionin që dikur e kishte EULEX, po e vazhdon me besnikëri Haga, ndërkohë që qasja e disa qarqeve ndërkombëtare, që shpesh deklarohen si partnere të Kosovës, ka krijuar barriera të vazhdueshme ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe ka penguar zhvillimin e plotë të vendit tonë.
Kjo situatë nuk mund të tolerohet më.
Rezistenca jonë do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse zëri ynë vazhdon të injorohet./ Periskopi/











