16 shtatori për aktgjykimin në Hagë, Hamza: Po thellohet pakënaqësia në Kosovë, Gjykata Speciale po vepron si instrument politik

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas shtyrjese së sërishme të shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke e cilësuar vendimin si dëshmi se Gjykata Speciale po devijon nga misioni i saj.
Hamza ka vlerësuar se shtyrja e përsëritur e afatit për vendimin përfundimtar minon besimin në drejtësi.
“Shtyrja e përsëritur e afatit për vendimin përfundimtar në rastin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së vetëm sa e rikonfirmon se Gjykata Speciale në Hagë po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një gjykatë që udhëhiqet nga parimet e drejtësisë”, ka shkruar ai.
Sipas kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim përmes një procesi që, sipas tij, është i padrejtë dhe i pafund, ndërsa paraburgimi i stërzgjatur është shndërruar në një dënim të padrejtë.
Ai ka shtuar se Gjykata Speciale ka humbur besimin dhe ka devijuar nga misioni i saj, duke rritur pakënaqësinë e qytetarëve në Kosovë.
“Çdo ditë e një procesi të padrejtë është e papranueshme dhe 16 shtatori është datë e largët për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie”, ka theksuar Hamza.











