Neymar mund të tërhiqet nga futbolli pas eliminimit të Brazilit

Neymar mund të ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit si futbollist profesionist, vetëm pak ditë pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës.
Ylli brazilian shënoi nga pika e bardhë në humbjen 2-1 ndaj Norvegjisë në 1/8 e finales, por goli i tij shërbeu vetëm si ngushëllim, pasi pesë herë kampionët e botës u larguan nga turneu në mënyrë të dhimbshme.
Pas shumë debateve në Brazil, ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain u përfshi nga Carlo Ancelotti në listën prej 26 lojtarësh për Botërorin. Megjithatë, Neymar hyri në turne me probleme fizike dhe arriti të luante vetëm pak minuta, duke u aktivizuar nga stoli në ndeshjen ndaj Norvegjisë.
Pas eliminimit, 34-vjeçari la të kuptohej se aventura e tij me kombëtaren braziliane ka marrë fund.
“E nisa këtu, e përfundova këtu. Tani mbaroi”, u shpreh Neymar, duke iu referuar stadiumit “MetLife”, aty ku kishte nisur dikur rrugëtimin me fanellën e Brazilit dhe ku tani mund ta ketë mbyllur atë.
Por sipas raportimeve nga Brazili, largimi nga kombëtarja mund të mos jetë vendimi i vetëm i madh. UOL raporton se Neymar do të kthehet në Brazil me të ardhmen e tij ende të hapur, ndërsa njerëz pranë lojtarit nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të vendosë të tërhiqet plotësisht nga futbolli.
Aktualisht, Neymar po pushon me familjen në Florida, para se të marrë një vendim përfundimtar për hapat e ardhshëm në karrierë.
Sulmuesi është pjesë e Santos, klubit ku u rrit si futbollist, dhe ka kontratë deri në dhjetor. Rikthimi në skuadër konsiderohet skenari më i mundshëm, por jo i sigurt. Vendimi pritet të merret nga vetë Neymar, pa presion dhe në kohën që ai e konsideron të duhur.
Sipas mediave braziliane, Neymar është ndier i lodhur nga gjithçka që e rrethon futbollin. Ai besohet se është ankuar te miqtë për mungesën e vlerësimit nga shtypi brazilian, pavarësisht 15 viteve të kaluara në shërbim të kombëtares.
Botërori shihej si mundësia për t’ia rikthyer dëshirën dhe emocionin për futbollin, por eliminimi i radhës e ka lënë të zhgënjyer dhe të demoralizuar.
Santos është duke pritur kthimin e tij, por ende nuk ka një datë të qartë se kur Neymar do t’i bashkohet skuadrës.
Për momentin, përmenden tre skenarë të mundshëm: rikthimi normal te Santos, transferimi në një klub tjetër me më pak presion, ose tërheqja përfundimtare nga futbolli.
Babai i Neymarit, megjithatë, ka bërë të qartë dëshirën e tij që djali të mos ndalet ende. Në një mesazh publik, Neymar da Silva Santos i kërkoi të birit të vazhdojë të luajë dhe ta rigjejë gëzimin që dikur e kishte me topin në këmbë.
“Biri im, vazhdo të luash futboll. Rigjeje buzëqeshjen në fushë. Sot je i shëndetshëm dhe Zoti të ka dhënë sërish mundësinë të bësh atë që gjithmonë e ke dashur”, ishte mesazhi i tij.
Neymar e mbyll kapitullin me Brazilin si golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares, me 80 gola në 130 paraqitje.
Megjithatë, mungesa e një titulli të Kupës së Botës do të mbetet pengu më i madh i karrierës së tij ndërkombëtare. Tani, pyetja kryesore është nëse Neymar do të vazhdojë të luajë në nivel klubesh, apo eliminimi nga Norvegjia do të shënojë fundin e një epoke të tërë në futboll. / Periskopi/











