Ministria e Sportit ndan 400 mijë€ për bileta avioni, dy ofertat dolën identike deri në centa

Aeroplani pritet të bëhet një "zyrë pune" për stafin e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë gjatë 36 muajve të ardhshëm, pasi institucioni ka ndarë gati 400 mijë euro për furnizim me bileta avioni për udhëtimet zyrtare, shkruan Periskopi.
Vlera e kontratës prej 399,741.26 eurosh është afërsisht sa paga e rreth 60 viteve të punës së një polici apo mësuesi në Kosovë, nëse merret për bazë paga mesatare mujore në këto profesione.
Ministria, e cila është themeluar rishtazi, e ka arsyetuar këtë kontratë të madhe me nevojën për udhëtime të shumta zyrtare, sidomos në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare. Në dokumentet e tenderit thuhet se afati i procedurës është shkurtuar pasi ministria nuk ka pasur një kontratë valide për këtë shërbim. Po ashtu, theksohet se për shkak të organizimeve për Lojërat Mesdhetare, stafi ka dhe do të ketë udhëtime të shpeshta zyrtare, prandaj sipas ministrisë ka qenë jetike që kontrata të lidhej sa më shpejt.
Megjithatë, ajo që bie më së shumti në sy në gjithë këtë procedurë nuk është vetëm vlera prej afro 400 mijë eurosh, por mënyra se si kanë përfunduar ofertat. Dy kompanitë e vetme që kanë konkurruar për këtë tender kanë dorëzuar çmim krejtësisht identik, deri në centa. Si "AS Travel Club" ashtu edhe "Prime Tours & Travel" kanë ofertuar saktësisht 399,741.26 euro.
Një situatë e tillë është e pazakontë për një tender publik me këtë vlerë. Në praktikën e prokurimit publik nuk ndodh shpesh që dy operatorë ekonomikë, duke përgatitur ofertat e tyre në mënyrë të pavarur, të arrijnë në të njëjtin çmim, madje identik edhe në centa.
Pikërisht për shkak se çmimet ishin identike, fituesi nuk u zgjodh mbi bazën e një oferte më të lirë. Ministria iu referua Rregullores për Prokurimin Publik, e cila përcakton se kur dy ose më shumë oferta të përgjegjshme kanë çmim identik, kontrata i jepet operatorit që e ka dorëzuar ofertën i pari në sistem. Kështu, fitues u shpall kompania "AS Travel Club", ndërsa "Prime Tours & Travel" mbeti pa kontratë, ndonëse kishte ofertuar të njëjtën shumë.
“39.8 Votimi vlen vetëm për kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Dosje të Tenderit. në rastet kur Autoriteti Kontraktues pranon 2 (dy) apo me shume oferta të përgjegjshme me çmime të njëjta (identike) nuk vlen votimi i anëtareve të Komisionit të vlerësimit për përzgjedhjen e OE, por përzgjedhja bëhet sipas kohës se dorëzimit të ofertës (OE i cili e ka dorëzuar ofertën i pari)”, thuhet në rregullore.

Nga dokumentet rezulton se në këtë aktivitet kanë ofertuar vetëm dy operatorë ekonomikë dhe të dy janë vlerësuar si të përgjegjshëm. Meqenëse çmimi ishte i njëjtë, koha e dorëzimit të ofertës u bë faktori i vetëm që përcaktoi fituesin.
Kontrata është marrëveshje kornizë me kohëzgjatje prej 36 muajsh. Ajo nuk nënkupton që 400 mijë euro do të shpenzohen menjëherë, por se ministria do të ketë mundësi të blejë aviobileta sipas nevojave të saj gjatë tre viteve të ardhshme, deri në vlerën maksimale prej 399,741.26 euro.
Në dokumentet e tenderit thuhet gjithashtu se nuk kanë mundur të përcaktohen paraprakisht relacionet e udhëtimit, pasi ato do të varen nga nevojat e ministrisë. Kriteri për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët, ndërsa procedura është zhvilluar si procedurë e hapur. Njoftimi për kontratë është publikuar më 19 qershor 2026, vendimi për dhënien e kontratës është marrë më 10 korrik, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për 16 korrik, pra sot./Periskopi




















