Mbyllja e “Vitës”, Mustafa: “Inspektori” Muja po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar pas vendimit për mbyllje të qumështores “Vita” me urdhër paparalajmërues për inspektim nga ministri i Bujqësisë, Armend Muja.
Mustafa ka thënë se veprimi i sotëm tregon për luftën që qeveria në detyrë e Albin Kurtit po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë.
“Represioni i sotëm ndaj qumështores Vita tregon luftën që kjo qeveri po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë! E pastaj pyesim pse nuk ka investime në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, nuk mund të ketë as investime vendore e as investime të huaja në një vend ku qeveria është armiqësore ndaj sektorit privat.
“Me këtë qasje, shihet qartë se qeveria e Albin Kurtit nuk synon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për një jetë me dinjitet në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
“Përkundrazi, po ndërton një model ekonomik ku qytetarët bëhen gjithnjë e më të varur nga ndihmat e qeverisë, në vend që të krijohen kushte për punë, prodhim dhe investime”, ka thënë ai.











