Mbyllja e qumështores Vita, Muja me reagim skandaloz: Qytetarët duhet të dinë se çka hanë e çka pinë

Qumështorja Vita do të jetë e mbyllur për 7 ditë.
Kjo pasi inspektorët e AUV, të dirigjuar nga ministria e Armend Mujës, kanë kryer një aksion kontrolli aty, transmeton Periskopi.
Muja ka dal me një reagim pas skandalit të ndodhur, duke u munduar të arsyetohet.
Ai ka sulmuar qumështoren, duke thënë se qytetarët duhet të dinë se çka hanë e çka pinë.
Postimi i plotë:
Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë për të cilat edhe paguajnë.
Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’
Këto veprime kryhen për të verifikuar respektimin e protokolleve të prodhimit, shkallën e zbatimit të normave ligjore, licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomik me kërkesat ligjore.
Qëllimi i vetëm i këtyre kontrolleve është mbrojtja e interesit publik. Ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e ushqimit, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar kushte të drejta për prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin.
AUV ushtron të njëjtin mandat në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore. Kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj operatorëve ekonomik pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg, sepse zbatimi i ligjit duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
Një sistem i besueshëm i kontrollit ushqimor ndërton besim te konsumatorët, mbron prodhimin vendor dhe forcon konkurrencën e ndershme në treg. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin.











