Për katër muaj, 69 raste me fruth në Kosovë – Vetëm në javën e fundit 11 raste të reja

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill deri më 20 korrik 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 69 raste të konfirmuara me fruth.
Sipas IKSHPK-së, gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja me fruth.
“Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me njëzetë e një (21) raste, komuna e Ferizajit me dymbëdhjetë (12) raste; Fushë-Kosova me dymbëdhjetë (12) raste; Kaçaniku me shtatë (7) raste; Lipjan me tre (3) raste; Vushtrri, Shtime, Drenas dhe Obiliq, me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat: Podujeva, Gjilan, Deçan, Skënderaj, Shtërpce dhe Viti.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
IKShPK-ja ka rekomanduar që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.











