"Shans s'ka...", pronari hyn brenda dhe nuk lejon t’i rrënohet shtëpia te “Rruga A” në Prishtinë

Një shtëpi katërkatëshe në “Rrugën A” në Prishtinë është vënë nën rrezik të shembjes, pasi themelet e objektit kanë pësuar lëvizje dhe ndërtesa është anuar.
Pjesa e poshtme e objektit ka pësuar dëmtime, ndërsa gjendja e saj paraqet rrezik jo vetëm për banorët e shtëpisë, por edhe për kalimtarët, pasi objekti vazhdon të jetë i qasshëm nga persona të tjerë, raporton lajmi.net, transmeton Periskopi.
“Deri ku e keni pru gjendjen tu e ditë, është që një vit në këtë gjendje”, ishin fjalët e pronares së shtëpisë para Policisë dhe inspektoratit që kërkojnë rrënimin e objektit.
Pronarja e shtëpisë, Shqipe Berisha Maxhuni, ka deklaruar se kjo nuk është hera e parë që familja përballet me rrezikun nga shembja e objektit. Sipas saj, vitin e kaluar ata u detyruan ta braktisnin shtëpinë pas frikës se mund të shembej.
Ajo ka thënë se para nisjes së punimeve në “Rrugën A”, në vitin 2024, kishin kërkuar sqarime nga përgjegjësit nëse shtëpia e tyre ishte e rrezikuar.
“Për shkak të punimeve në ‘Rrugën A’ që kanë filluar në vitin 2024, kemi dalë me bashkëshortin dhe u kemi thënë: ‘A jemi të rrezikuar ne?’, dhe kanë thënë: ‘Jo, se largësia e bën të pamundur që ju me qenë të rrezikuar’. Por pa asnjë vendim, vetëm me gojë”- ka deklaruar ajo.
Berisha Maxhuni ka rrëfyer se në maj të vitit 2025 familja kishte përjetuar një moment paniku, pasi sipas saj, gjatë natës është dëgjuar një krismë e madhe dhe objekti kishte pësuar dëmtime.
“Më 27 maj 2025, në orën 10:00 të mbrëmjes, kemi qenë brenda krejt familja. Veç u dëgju një krismë shumë e madhe, u ndal rryma dhe i thash bashkëshortit: ‘Na ramë poshtë’. Tmerr, frikë, ankth”- ka thënë Berisha Maxhuni.
Të premten familja tregoi se kishte marrë vesh nga fqinjët se shtëpia kishte pësuar përsëri dëmtime të tjera, veçse kësaj here kishte pësuar lëvizje i gjithë themeli i shtëpisë.
“Të premten jemi njoftuar prej kojshive që shtëpia është rrënuar, sepse paraprakisht na kanë evakuuar prej këtu. Përkundër që s’kam lënë derë pa trokitur për me e mbrojtur shtëpinë, ata prapë kanë filluar me punime”- kishte deklaruar pronarja Berisha.
Ajo ka kërkuar që dëmi t’i vlerësohet dhe të kompensohet.
Në vendin e ngjarjes sot kanë dalë ekipet e Policisë së Kosovës së bashku me Inspektoratin Komunal të Prishtinës, të cilët kanë vlerësuar situatën. Sipas informacioneve nga terreni, pritet të ndërmerren masa për rrënimin e objektit, për shkak të rrezikut që paraqet gjendja e tij.

Masat e sigurisë në zonë deri tani janë kufizuar në vendosjen e shiritave paralajmërues, ndërsa autoritetet po ndërhyjnë për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm.












