Halil Thaçi dyshohet se kishte ndryshuar hartën e shpronësimeve në Shipitullë

Kryetari i Komunës së Obiliqit, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi po merret në pyetje nga Prokuroria Speciale, shkruan Periskopi.
Prokuroria Speciale nuke ka bërë ende të ditur arsyen e ftesës për intervistim të ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo që dihet është se Thaçi ndodhej nën hetime penale lidhur me dyshimet për ushtrim ndikimi për hartat e shpronësimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Ai është hetuar për shpronësimet e planifikuara të Korporatës Energjetike në fshatin Shipitullë.
Siç raportohej rreth dy vjet më parë, ish-deputeti dyshohet se ka ushtruar ndikim te ndërmarrjet e pavarura shtetërore që të ndryshohen hartat e shpronësimeve që realizohen nga KEK-u.
Një audio-incizim të cilin e publikoi portali Kallxo.com më 2024, dëshmoi sesi Thaçi, gjatë një komunikimi me disa banorë të fshatit Shipitullë, u tregoi atyre se ka diskutuar me Kryeshefin e KEK-ut dhe kryetarin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për ndryshimin e hartave të shpronësimeve.
Asokohe deputet, Thaçi nuk kishte mandat për ndërhyrje në këtë proces.
“Qaj 1 hektar e 60 ari që është hy me u shpronësu qaty, qaj ka me ra edhe ka me ju shpronësu krejt juve. Unë sot kesh me këtë drejtorin, zëvendësdrejtorin, të martën jam taku edhe me Bekirin. Na jemi t`u e prit KPMM-në që KPMM-ja me ja dhanë orientimin mihjes. KPMM-ja del në vend të ngjarjes, e konstaton që qata banorë janë në rrezik, ja prej zhurmës ja… Vijnë i këqyrin shpijat qysh janë ça e sene. KPMM-ja merr vendim që pa marrë parasysh a i duhet a s’i duhet mihjes duhet me i shpronësu”, dëgjohet duke thënë Thaçi në këtë audio-incizim.
“Në KPMM i kemi njerëzit tanë, i shtyna do sene, s’kanë qare”, deklaron Thaçi, sipas audio-incizimit.
Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar në vitin 2024 se Thaçi ishte vënë nën hetime nga Njësia e Veçantë Anti-Korrupsion.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetje”, kishte Prokuroria Speciale në një përgjigje me shkrim.
Vitin e kaluar, Halil Thaçi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, fitoi pas balotazhit garën për kryetar të Komunës së Obiliqit.











