Haalandi pati disa fjalë për VAR-in, pasi Norvegjisë iu anulua një gol ndaj Anglisë

Erling Haaland pranoi se ndihej “i hidhëruar” dhe “bosh” pasi Norvegjia u eliminua nga Anglia në një çerekfinale dramatike të Kupës së Botës.
Sulmuesi norvegjez ishte i zemëruar me arbitrat pas një ndërhyrjeje të diskutueshme të VAR-it në një incident ku u përfshi bashkëlojtari i tij i ri te Manchester City, Elliot Anderson, çka bëri që Norvegjisë t’i anulohej një gol shumë i rëndësishëm në pjesën e dytë.
Haaland nuk i kurseu kritikat pas humbjes 2-1 ndaj Anglisë pas vazhdimeve në Miami Stadium.
25-vjeçari u bë protagonist i momentit më të diskutuar të ndeshjes, kur goli i Torbjørn Lysaker Heggem, i shënuar 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, u anulua nga VAR-i.
Arbitrat vlerësuan se Haaland kishte shkaktuar faull ndaj Anderson gjatë ndërtimit të aksionit.
Në një intervistë pas ndeshjes për “TV 2”, sulmuesi norvegjez tha se nuk mund ta besonte vendimin, duke insistuar se kontakti ishte pjesë normale e futbollit.
“Të them të drejtën ndihem pak bosh. Mendoj se e meritonim më shumë.
Nuk besoj se ishte faull. Goli u anulua sepse thuhet se e shtyva Elliot Anderson në tokë, ndërkohë që mua më shtyjnë në çdo duel. Është pak e hidhur.”
Përplasja me Anderson në zonën e penalltisë rezultoi vendimtare në ndeshjen e zhvilluar në vapën e Floridës.
Pavarësisht eliminimit, Haaland ishte një nga yjet më të mëdhenj të këtij Botërori, duke realizuar shtatë gola dhe duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve, vetëm një gol pas Kylian Mbappé dhe Lionel Messi, të cilët kanë nga tetë gola.
Megjithatë, ai argumentoi se nëse një kontakt i tillë konsiderohet faull, atëherë edhe vetë ai duhet të fitojë shumë më tepër goditje dënimi në çdo ndeshje të Premier League dhe me kombëtaren.
“Nëse kjo është faull, atëherë duhet të fitoj një goditje dënimi pothuajse në çdo duel, në çdo ndeshje.
Sepse më shtyjnë dhe më tërheqin gjatë gjithë kohës. Mendoj se ky ishte një vendim i dobët.
Momentet e vogla vendosin gjithçka në Kupën e Botës. Kundër Brazilit arritëm t’i kthenim ato në favorin tonë. Sot, kur vendimet 50 me 50 shkuan kundër nesh, gjithçka u bë shumë e vështirë.”
Haaland nuk ishte i vetmi i zhgënjyer me gjykimin në Miami.
Edhe mesfushori i Fulhamit, Sander Berge, kritikoi arbitrimin dhe theksoi se diferencat minimale shpesh vendosin fatin e ndeshjeve në futbollin ndërkombëtar.
“Ky duhet të ishte gol në çdo ditë të javës, por futbolli vendoset nga detajet e vogla.
Asnjëherë nuk e di se në cilën anë do të shkojnë vendimet. Nëse ky është standardi, atëherë unë do të fitoj penallti çdo javë në Premierligë,” deklaroi Berge./ Periskopi/











