Falenderimi publik i pastorit amerikan për Policinë e Kosovës: Po bën punë të jashtëzakonshme

Vizita e Pastorit amerikan Mark Burns në Kosovë është shoqëruar edhe me një mesazh vlerësues për institucionet e sigurisë.
Ai ndryshe njihet edhe si një nga aleatët e presidentit të ShBA-së Donald Trump.
Burns ka shprehur publikisht mirënjohjen për Policinë e Kosovës, duke theksuar profesionalizmin, përkushtimin dhe rolin e saj në garantimin e rendit dhe sigurisë në vend.
Pastori amerikan i falënderoi autoritetet e sigurisë për angazhimin e tyre të përditshëm në mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.
“Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Policinë e Kosovës për profesionalizmin, mikpritjen dhe përkushtimin e saj ndaj sigurisë publike gjatë kohës sonë në Kosovë”, thuhet në mesazhin e tij.
Mark Burns, vlerësoi se puna e zyrtarëve policorë është thelbësore për mbrojtjen e komuniteteve dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
“Faleminderit për punën që bëni çdo ditë për të mbrojtur komunitetet, për të ruajtur rendin dhe për t’u shërbyer qytetarëve të Kosovës. Përkushtimi juaj nuk kalon pa u vënë re”, theksoi Burns.
Në përfundim të mesazhit të tij, ai uroi që zyrtarët policorë dhe familjet e tyre të kenë mbrojtje dhe bekime në kryerjen e detyrës.
“Zoti i bekoftë dhe i mbroftë të gjithë zyrtarët policorë dhe familjet e tyre, teksa shërbejnë me guxim dhe nder”, përfundoi ai.











